Ndeshja ndaj Egnatias nuk ka qenë aspak pozitive për Vllazninë dhe sidomos për dy prej futbollistëve të saj. Dy prej tyre kanë qenë në formacionin më të dobët të javës të “Panorama Sport” dhe bëhet fjalë për Lorik Boshnjakun dhe Herald Markun.
Në fakt, asnjëri prej tyre u pa qartë që nuk kanë qenë në ditën e tyre më të mirë në ndeshjen ndaj Egnatias, me Boshnjakun që bëri edhe gabimin në golin që Vllaznia pësoi.
Po ashtu, Marku ka gabuar në disa raste të ndeshjes dhe jo më kot, ai u zëvendësua nga trajneri Josa në pushim të përballjes me skuadrën e Egnatias, që u humb në shifrat e ngushta 0-1.
Realisht, jo vetëm Boshnjaku dhe Marku, por pothuajse të gjithë futbollistët shkodranë u treguan të mefshtë ndaj Egnatias, duke mos u imponuar asnjëherë gjatë lojës. Poashtu, kuqeblutë ishin me fat që nuk pësuan më shumë se një gol, teksa penalltia e humbur e Latifit vulosi ditën e keqe.
Maringlen ZHIVANI