Java e 16 e Kategorisë Superiore, do të ngrejë siparin ditën e sotme me përballjen mes Kukësit dhe Skënderbeut që do të luhet në stadiumin e Kamzës duke nisur nga ora 14:00. Si verilindorët, ashtu edhe korçarët do të synojnë që të marrin pikët e radhës për të mos lejuar Partizanin që të shkëputet më shumë në krye.

Kukësi vjen nga dy fitore radhazi në kampionat, duke mundur Kamzën dhe Luftëtarin, ndërkohë që Skënderbeu u mund në javën e fundit nga Teuta në shtëpi, me rezultatin 0-1. Sa i përket gjykimit, ky takim i është besuar Juxhin Xhajës i cili do të ketë një punë jo të lehtë.

Sakaq, ndihmësit e tij janë Denis Rexha dhe Arbër Zalla, ndërkohë që Emirion Sino do të jetë gjyqtar i katërt. Kjo është ndeshja e dytë mes këtyre dy skuadrave në këtë sezon, duke qenë se në fazën e parë, Skënderbeu arriti të triumfonte në shtëpi me rezultatin 1-0 ndaj Kukësit.