Ndryshimet e shumta që ka pësuar skuadra e Vllaznisë këtë sezon, kanë bërë që ekipi të mos ketë ende formën e duhur. Megjithatë, me ndryshimet e bëra së fundi, duket se ajo po stabilizohet tashmë. Një nga lojtarët që pritet të jetë i rëndësishëm është edhe Dodë Lekndreaj.

Ai ndaj Kamzës në takimin e fundit ka rënë në sy për formën e tij shumë të mirë sportive dhe këtë e tregon më së miri edhe numri i pikëve të shënuar, plot 23. Pra, nëse fillimisht i kemi patur sytë tek amerikanët, duhet thënë se nuk duhen lënë jashtë vëzhgimit edhe basketbollistët shkodranë të cilët duhet të jenë në formë sepse përndryshe gjërat nuk do shkojnë mirë ngaqë basketbolli është lojë kolektive dhe ekipi duhet të funksionojë në tërësi.

Në ndeshjen ndaj Teutës në Shkodër spikati Austin Dasent me 25 pikë dhe ishte pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes. Por ndaj Kamzës ai ka shënuar vetëm 8 pikë.

Nga tre amerikanët, në ndeshjen e fundit ka qenë Malik Carter që ka shënuar 18 pikë por më shumë se të gjithë ka shënuar Dodë Lekndreaj, plot 23 pikë duke qenë pikëshënuesi i dytë më i mirë i ndeshjes, pas Uruçit të Kamzës që ka shënuar një pikë më shumë.


Shifrat e fundit të Lekndreajt tregojnë se ai po vjen në rritje dhe me siguri që këtë gjë do ta tregojë edhe në takimin e nesërm ndaj Tiranës. Një përballje shumë e vështirë por që Vllaznia duhet të tentojë ta fitojë sepse pozitat e saj në renditje nuk janë aspak të mira.

Për këtë arsye, duhet që tre amerikanët, por edhe Lekndreaj, Bekteshi, Shabani, Llazani, Rakaj e me rradhë të gjithë të tjerët, të japin maksimumin e tyre në fushën e lojës.
© shkodrasport.com