Pak ditë më parë është mbyllur faza e parë e kampionatit të 17 vjeçarëve të Ligës Amatore për Zonën e Veriut. Të gjashtë skuadrat pjesmarrëse në të, janë ndeshur me njëra- tjetrën dhe në fund kanë dalë edhe verdiktet e kësaj faze të parë. “Kampion dimri” është shpallur ekipi “Djelmnia shkodrane” që drejtohet nga trajneri Arber Shytani.

Ajo ka fituar 4 ndeshje dhe barazuar një ndërkohë që nuk e njeh humbjen. Në këtë mënyrë me 13 pikë, udhëheq kampionatin dhe është kandidatja kryesore për t’u shpallur kampione i këtij sezoni teksa rivalitetin duket se do ta ketë vetëm me “Scutarin”.

Ecuria e “Djelmnia shkodrane” në fazën e parë ka qenë shumë e mirë. Barazimin e vetëm e ka në javën e parë 0-0 me Vllazninë. Në të dytën ka fituar 4-0 ndaj “Labeat”, në javën e tretë ka fituar 1-0 me “Atletik”, në të katërt me “Don Bosco” 2-1 dhe në të pestën ka mundur “Scutarin” 1-0.

Interesant është fakti se kemi të bëjmë me një ekip shumë të kujdesshëm në fushën e lojës dhe këtë e tregon edhe numri i golave të pësuar: Vetëm 1, atë ndaj “Don Boscos”.

Padyshim që një meritë në këtë mes ka edhe trajneri Shytani i cili duke luajtur vetë mbrojtës gjatë gjithë karrierës së tij, duket se po i udhëzon edhe futbollistët që stërvit, të luajnë pikësëpari mirë në mbrojtje. Ky është viti i parë i karrierës së saponisur si trajner për të dhe duket se e ka nisur në mënyrën e duhur.
© shkodrasport.com