Nga Endri ÇINARI

Superliga do rikthehet në aktivitet ditën e sotme me javën e 20-të të saj. Ky raund i nivelit më të lartë të futbollit shqiptar do jetë i ndarë në dy ditë. Ku gjithçka do luhet sot edhe nesër, me duelet që kompletojnë javën. Ditën e sotme gjithçka hapet me duelin Kukësi-Egnatia.

Verilindorët vijnë pas humbjes në Shkodër kundër Vllaznisë në shifrat 1-0. Disfatë që ende po i lë në luftën për mbijetesë skuadën e Nicës. Nga ana tjetër Egnatia kryeson me meritë Superligën dhe në Kukës do kërkojë të vijojë ecurinë pozitive. Në orën 13:30 pritet një duel mjaft interesant mes dy skuadrave me objektiva totalisht të kundërt.

Në orën 17:00 në Durrës do jenë përballë Teuta dhe Tirana. Durrsakët nuk njohin fitore prej 11 javësh e duan reagimin për tu larguar nga fundi i klasifikimit. E ndërsa kryeqytetasit në javët e fundit kanë pasur ecuri pozitive. Megjithatë, Edi Martini në këto vite ka ditur shpesh herë ta mundë Tiranën. Madje duke qenë edhe një “mace e zezë” për bardheblutë që kanë pësuar shpesh disfata.

Java e 20-të e kampionatit do kompletohet nesër. Me Vllazninë që udhëton në Rrogozhinë për tu përballur me Erzenin në orën 13:30. E ndërsa në orën 17:00, Partizani do presë Laçin në shtëpi. Po në të njëjtën orë do luhet në Korçë dueli mes Skënderbeut dhe Dinamos.