Shpëtim Duro është i bindur se pavarë sisht largimit të disa sulmuesve që mbajtën peshën në pjesën e parë të këtij sezoni, Egnatia është po aq e fortë me afrimet e fundit që janë bërë në fazën ofensive. Në prag të ndeshjes me Erzenin, që do të luhet sot në orën 13:00 në stadiumin e Rrogozhinës, trajneri i Egnatias foli për “Panorama Sport”, duke komentuar të gjitha lëvizjet dhe atë që pret nga dueli me shijakasit.

Profesor Duro, si e gjen Egnatian rifillimi i kampionatit?

E presim me entuziazëm dhe optimizëm rifillimin e kampionatit, që vjen mbas një periudhe ndërprerjeje. Ne jemi përgatitur seriozisht dhe kemi një skuadër të denjë që i ka të qarta synimet e saj.

Me ndryshimet e bëra në merkato, është forcuar apo dobësuar skuadra?

Nuk kemi pësuar shumë ndryshime. Është po ajo skuadër që ka luajtur në 15 javët e shkuara. Nuk quhen ndryshime ardhja apo ikja e 1 apo 2 lojtarëve. Në këtë periudhë, sigurisht është normale të ndodhin edhe këto lëvizje që ne shpresojmë se janë ato të duhurat.

Delarzh u largua, edhe pse ishte golashënuesi më i mirë. Pse?

Delarzhe nuk është rikthyer më në skuadër për çështje dokumentacioni dhe duke qenë se nuk mund ta presim gjatë, kemi marrë masa të tjera për të dubluar largimin e tij. Tek Egnatia “njeriu gol” është skuadra. Them kështu se meritë kanë të gjithë në lojën e mirë, aksionet e shumta që ne kryejmë dhe sigurisht dhe për golat që kemi shënuar. Edhe ata lojtarë që nuk janë më pjesë e jona, të cilëve dihet se u kanë shërbyer fort futbollistët e tjerë, kanë merita të gjithë së bashku në gjithçka kemi arritur e duam të arrijmë më tej.

Në përballjen me Erzenin nuk do të keni mbrojtësin Agbekpornu për kartonë dhe mesfushorin Hamzat të grumbulluar me Nigerinë U-21. Ju prishin planet për formacionin?

Jemi të ndërgjegjshëm për këto dy mungesa, por jemi një ekip që kemi alternativa të mjaftueshme për t’i dubluar si duhet lojtarët. Dhe kam besim se ata që do të luajnë në formacion do të bëjnë po aq mirë.

Luani ndaj një ekipi që ka befasuar në këto 15 javë kampionat…

Pres të jetë një ndeshje shumë e fortë, por ne kemi synimet tona, pasi luajmë para tifozëve, që dihet se e përjetojnë shumë ecurinë e ekipit. Erzeni është me meritë në pozicionin që ka. Është një skuadër e mirë dhe meriton komplimente si futbollistët ashtu dhe stafi teknik. Armët tona dihen tashmë, që janë serioziteti dhe patjetër lufta burrërore sportive, karakteri i lartë dhe ambicia për fitore. Uroj ta nisim më këmbën e mbarë edhe periudhën e dytë të këtij sezoni.

Nga dy lojtarët e ardhur në këtë merkato, Duaumena dhe Kasa, pritet debutimi i ndonjërit prej tyre?

Rafael Daumena ka ardhur pak me parë dhe është më afër aktivizimit, por do të shohim deri pak para startit të ndeshjes. Ndërsa sulmuesi i ri, Kasa, ka vetëm tri ditë që është bërë pjesë e Egnatias dhe natyrisht që i duhet më shumë kohë për t’u ambientuar dhe më pas për të qenë gati për të luajtur.