Merkato në Itali ka nisur të nxehet teksa klubet po përgatiten për sezonin e ardhshëm duke qenë se në këtë aktualin kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe katër takime. Një nga skuadrat më aktive është Napoli, e cila po zhvillon një merkato si në hyrje, po ashtu edhe në dalje. Te të kaltrit, një emër që preferohet shumë nga klubet e tjera është ai i Arkadiush Milik.

Polaku ka qenë i pafat me napoletanët teksa dëmtimet nuk e kanë lënë të tregojë potencialin e plotë, megjithatë në momentet kur ka qenë prezent ka treguar cilësitë. Kështu, për sulmuesin interesohet Juventusi që e sheh si një zëvendësues ideal të Higuain.

Mirëpo, klubi së fundmi pëlqen më shumë pistën Roma. Verdhekuqtë kanë në përbërje të tyre Edin Xheko, i cili me shumë mundësi do të largohet.

Ndaj, Napoli po ideojnë një shkëmbim mes dy “pykave”. Mbetet për t’u parë tashmë edhe dëshira e vetë lojtarëve që do të jetë thelbësore në këtë tratativë. /VipSport/