Nga Endri ÇINARI
Lajmet e merkatos kanë nisur ende pa u hapur zyrtarisht. Shumë zëra për afrime apo largime futbollistësh do ekzistojnë gjatë kësaj periudhe 3 mujore. Përjashtim nuk bën as Vllaznia që duket se do ketë një revolucion këtë verë. Tek shkodranët përveç afrimeve, do ketë edhe largime.
Një prej emrave që ka qarkulluar në media në ditë e fundit është ai i Rejan Alivodes. Për mesfushorin duket se ka një ofertë zyrtare nga Slavia e Prages dhe me siguri 21-vjeçari do largohet nga kuqeblutë në merkato. Por interest nga kampionatet jashtë vendit ka edhe për një tjetër futbollist të Vllaznisë. Fjala është për Geralb Smajlin.
Nga ajo që mëson “Shkodra Sport”, ekipe nga elita e futbollit në Rumani dhe Bullgari kanë shprehur interes për mbrojtësin e djathtë. Një pistë për numrin 2 mund të jetë edhe Ukraina, por për momentin në “pole position” janë Bullgaria dhe Rumania. Smajli ka qenë një prej mbrojtësve të djathtë më të mirë të kampionatit që po lëmë pas.
Me 28 paraqitje në kampionatin e rregullt, ku ka shënuar 1 herë dhe asistuar 6 herë e po ashtu me 1 gol dhe 2 asist në kupën e Shqipërisë, Smajli është një “objektiv” i lakmueshëm në merkato. Nga kjo mund të përfitojë edhe Vllaznia, ku përveç Alivodes mund të shesë edhe Smajlin./www.shkodrasport.com/