Kombëtarja u-21 ka shpallur listën e futbollistëve të grumbulluar ditën e djeshme, ku lojtarët janë thirrur për ndeshjet miqësore kundët Azerbajxhanit dhe Polonisë.

Nga futbollistët e grumbulluar për këto dy ndeshje nga trajneri Bushi kanë gjetur vend edhe dy lojtarë të Vllaznisë si: Smajli dhe Alivoda. Në këtë mënyrë duke u shpërblyer për performancat e tyre këtë sezon në Superiore.

Ku me të vërtetë dyshja kuqeblu ka qenë një zbulim jo vetëm për Vllazninë, por për gjithë Superioren. Megjithatë Smajli dhe Alivoda nuk janë shkodranët e vetëm në listën e ish-sulmuesit të njohur. Kështu pjesë është edhe Mario Mitaj, që aktivizohet si mbrojtës i majtë dhe tashmë është pjesë e futbollit rus, ku luan me skuadrën e Lokomotivës së Moskës.

Një tjetër shkodran që ndoshta nuk është edhe aq i dëgjuar është edhe Elmando Gjini. Shtatlarti i zhvilluar futbollistikisht mes Suedisë dhe Italisë tashmë po luan me profesionistët në Portugali. Edhe Gjini aktivizohet në rolin e mbrojtësit të qendrës tek skuadra e Amora, ku këtë sezon ka qenë një prej titullarëve të rëndësishëm.

Po ashtu të grumbulluar janë edhe dy vëllezërit nga Puka, Kristian dhe Stiven Shpendi. Të dy luajnë në krahët e sulmit dhe janë pjesë e skuadrës së Cessenas në Itali. Një listë mjaft interesante kjo e Bushit, ku nga elementët e grumbulluar pritet të formohet edhe baza e kombëtares u-21 për kualifikueset e edicionit që vijon.
Endri ÇINARI