Laçi po kalon një prej periudhave më të errëta që pas rikthimit në elitë në vitin 2009. Prej 14 sezonesh radhazi, bardhezinjtë janë kthyer në skuadrën faktor të kampionatit shqiptar, duke marrë pjesë rregullisht edhe në Kupat e Europës.

Mirëpo, ky sezon po shkon si mos më keq për kurbinasit, pasi jo vetëm që po zhgënjejnë në kampionat, por janë tashmë jashtë Kupës së Shqipërisë, pasi u eliminuan në turin çerekfinal nga Egnatia.

Laçi e shikonte Kupën si mundësia më e shkurtër për të kapur Europën, ndërsa në kampionat janë në vendin e tetë, që të çon në “play out” për qëndrimin në Superiore dhe vetëm 3 pikë më shumë se Bylisi i vendit të nëntë, që zbret direkt nga kategoria.

Pas eliminimit nga Kupa, trajneri Gentjan Mezani dha sinjale lamtumire me deklaratën e tij. “Skuadra ka nevojë për diçka tjetër. Duhet të ndryshojë dhe shpresoj që kjo të arrihet sa më shpejt. Më vjen keq që nuk arrita të bëja atë që duhej, që t’i jepja mundësinë skuadrës dhe vetes sime për të shpalosur vlerat më të mira”, ka thënë ndër të tjera Mezani.

Por, “Panorama Sport” mëson se vlonjati nuk është larguar ende nga Laçi. Burime të sigurta në klubin kurbinas i thanë dje gazetës se trajnerit nuk i është pranuar dorëheqja nga drejtuesit dhe kësisoj do të vazhdojë të jetë në detyrë edhe për ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë.

Ky takim do të luhet të dielën në orën 13:00 në Laç dhe është shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë e ekipit kurbinas. Kohët e fundit pranë skuadrës ka qenë edhe trajneri legjendar, Stavri Nica, që solli për herë të parë Kupën në Laç. Megjithatë, nga klubi nuk ka një konfirmim nëse durrsaku mund të pasojë në pankinën bardhezi Mezanin. Çdo gjë mbetet për t’u parë…