Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Ndryshime të rëndësishme në Akademinë e Vllaznisë. Nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se, ekipi U-19 do të drejtohet në sezonin e ri nga Haris Lika, i cili zëvendëson në këtë detyrë Edmond Doçin. Vendimi është marrë gjatë një takimi të zhvilluar në ambientet e klubit, ku kanë qenë të pranishëm presidenti Alban Xhaferi, si dhe drejtorët teknikë Vioresin Sinani e Alban Hasani.
Haris Lika është një emër i njohur i futbollit shkodran. Si ish-futbollist i Vllaznisë, ai ka krijuar prej vitesh eksperiencë si trajner, duke punuar me grupmoshat e Akademisë Vllaznia, Akademisë AAS, Shënkollit, Veleçikut, Basanisë, si dhe për një periudhë të shkurtër me ekipin e femrave të Vllaznisë.
Trajneri shkodran zotëron licencën UEFA Pro, ndërsa vlerësohet për punën e tij në zhvillimin e futbollistëve të rinj. Pikërisht kjo përvojë ka bindur drejtuesit kuqeblu t’i besojnë drejtimin e ekipit U-19 në prag të sezonit të ri.
Për Likën, sfida nuk do të jetë e lehtë. Vllaznia U-19 vjen pas një sezoni jo në nivelin e pritshmërive dhe objektivi i tij do të jetë rikthimi i skuadrës mes pretendenteve të kampionatit, por edhe përgatitja e sa më shumë talenteve për ekipin e parë të klubit.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


