Myrto Uzuni me Ferencvaroshin e tij arriti të hyjë në histori dhe të kualifikohet në grupet e Champions League. Shorti i vuri përballë Barcelonën, me të cilën do të përballet pas dy ditësh në “Camp Nou”, me Uzunin, që do ketë mundësinë të luajë në një stadium “mitik” si ai i katalanasve dhe të debutojë në grupet e Champions.

Por, përveç beratasit në fushë do të jetë edhe një tjetër shqiptar. Në fakt jo totalisht në fushë, por në anën e saj sepse do të jetë gjyqtar anësor.

Bekim Zogaj, abitri anësor me origjinë shqiptare është caktuar të vërë drejtësi në këtë supersfidë, duke zbritur edhe ai për herë të parë në “Camp Nou”.

40-vjeçari arbitron në elitën e futbollit zviceran dhe cilësohet si një nga më të mirët në vendin helvet. Me zbritjen e tij në fushë të martën ai do të jetë i pari arbitër shqiptar, që gjykon në një ndeshje të grupeve të Champions League.

Me siguri do të ketë shumë punë për të ndjekur shpejtësinë e Uzunit, që është gjithmonë aktiv në krahun e tij te Ferencvarosh.