Katër ekipet më të mira të vendit, u përballën me njëri- tjetrin për të fituar Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe ndeshjet e këtij kompeticioni u zhvilluan në qytetin e Korçës.

Një vendim disi i çuditshëm i kësaj Federate të cilën e ka bërë publik edhe vetë trajneri i ekipit të Vllaznisë Ermal Kraja i cili është shprehur:

“Kur u vendos që të zhvillohej kjo kupë, kam bërë kërkesën që finalet të luheshin në Shkodër ose në mos në Shkodër, të paktën në Tiranë sepse do të kishte njerëz që do të vinin për të na parë e mbështetur.

Por çuditërisht u vendos për në Korçë. Them çuditërisht sepse Skënderbeu nuk ishte pjesmarrës në këto finale dhe për rrjedhojë tifozët korçarë nuk kishin interes për t’i ndjekur ndeshjet.

Kemi luajtur duke patur tifozë muret e pallatit të sportit dhe kjo ishte e pakuptimtë, për të mos dalë pastaj tek shpenzimet e secilit ekip për të udhëtuar deri në Korçë”- thotë ai.

Megjithatë Vllaznia ia doli ta fitonte këtë trofe duke mundur fillimisht në gjysmëfinale Tiranën dhe pastaj në finale 3-1 Partizanin. Në lidhje me këtë sukses, trajneri Kraja shton: “Të them të drejtën ekipi ishte karikuar në maksimum pasi edhe atmosfera rreth tij nuk ka qenë e duhura. Largimi i dy volejbollistëve nga Vllaznia krijoi idenë se tashmë ekipi mori fund dhe sportdashës të ndryshëm por edhe media menduan se tashmë ai nuk do të kishte pretendime.

Por treguam të kundërtën. Lojtarët me përvojë që kemi në ekip kompesuan largimet e dy lojtarëve dhe bëmë që të triumfonim ndaj kundërshtarëve dhe ta fitonim këtë trofe. Emocionet kanë qenë të mëdha por ajo që më çudit është neglizhenca ndaj këtij ekipi. Prej 10 vitesh ai është pjesmarrës rregullisht në play-off por asnjë sponsor nuk na është afruar. Nuk e di se çfarë duhet të bëjmë më shumë për të ardhur dikush e për të na ndihmuar, megjithatë mbesim me shpresë”.
www.shkodrasport.com