Java e 18-të e kampionateve të moshave ka dhuruar një fitore dhe një humbje për ekipet e Akademisë Shkodra. 19-vjeçarët shkodranë janë mundur në Kamëz nga Akademia e Futbollit me rezultatin 3-0.

Në minutën e 27-të të ndeshjes së sotme, Akademia e Futbollit ka shënuar golin e parë, falë golit nga Kalemi. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat. Në të dytën u prit një reagim i Shkodra U19, por në minutën e 73-të, Shehu ka shënuar golin e dytë për Akademinë e Futbollit.

Deri në fund, do kishte vend edhe për një gol të tretë nga Akademia e Futbollit, teksa ishte Halilaj, që shënoi edhe golin e tretë për skuadrën e tij. Pavarësisht kësaj, shkodranët kanë tentuar deri në fund të shënojnë qoftë edhe një gol, por nuk ia kanë dalë.

Ndërkohë, Shkodra U-17, këtë javë, ka luajtur po në Kamëz, po ndaj ekipit të Akademisë së Futbollit dhe ka fituar me rezultatin 0-1. Protagonisti kryesor i këtij suksesi ka qenë Hoxhaj, që ka shënuar golin e vetëm në këtë takim. Me gjithë përpjekjen e të dy ekipeve deri në fund, nuk pati ndryshim të rezultatit, duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllej në shifrat 0-1 për Shkodra U-17.

Me këtë fitore, ajo është ngjitur në kuotën e 28 pikëve, duke mbajtur vendin e pestë në renditje, po aq sa edhe Akademia e Futbollit, që renditet në vendin e katërt, me 28 pikë.
Maringlen ZHIVANI