Muaji janar për ekipet në mbarë Europën, nuk është vetëm muaji i rivijimit të kampionateve, por edhe i merkatos. Shumë nga skuadrat do bëjnë lëvizje në dalje e po ashtu në hyrje të futbollistëve. Përjashtim nuk bën as Superliga, që karakterizohet nga lëvizjet e shumta në çdo sesion merkatoje.

Por për momentin në kampionatin tonë lëvizjet në hyrje duket se janë me pikatore ose më mirë të themi që skuadrat pavarësisht zërave të shumtë nuk kanë konkretizuar asgjë.

Kështu jo vetëm Vllaznia, ku në merkato kanë qarkulluar emra të shumtë që mund të afrohen apo largohen ende ska asnjë lëvizje. Duke bërë që gjithçka të jetë në vendnumëro.

Përjashtim nuk bëjnë as ekipet e kryeqytetit, ku tek Tirana diskutohet prej kohësh emri i Kristal Abazajt e tek Partizani ai i Grezdes. Por asgjë nuk është zyrtarizuar dhe gjithçka ka ngelur në formën e zërave dhe hipotezave. As ekipet e tjera si: Kukësi apo Teuta nuk kanë realizuar ndonjë afrim me peshë. Përjashtim bën Laçi që ka rikthyer Guindon në gjirin e tyre.

E ndërsa një goditje ka realizuar edhe Egnatia që ka afruar në Rrogozhinë, ish-sulmuesin e Levantes, Dwamena. Një merkato me “silenciator” kjo e ekipeve shqiptare për momentin. Ku pavarësisht zërave dhe dëshirave të shumta të ekipeve, asgjë nuk duket se ka marrë formë zyrtare ende për asnjë futbollist.
Endri ÇINARI