Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, mendon se gjyqtari Enea Jorgji ka gabuar në të dy rastet e diskutueshme për penallti në ndeshjen kundër Tiranës. Në “SuperSport” ai deklaroi se i besonte plotësisht Gilman Likës që kishte thënë se ishte penallti.
“E fillova para 35 ditësh dhe kam përgatitur për këto ditë dhe pas fillimit të kampionatit e patëm 3 ndeshje për 6 ditë. Është e pamundur të luash me Bylisin e Laçin në 4 e pastaj Tiranën, kjo duhej të luhej nesër. Tani e humbën ndeshjen për gabimin tim për lojtarët tanë, i pari është i Gurishtës, që nuk kontrolloi mirë topin para mbrojtjes së duhej të largonte sferën.
Ky është futbolli, pastaj humbi topin Emerson dhe u mbyll ndeshja, Hygor dhe Emerson janë të rinj, nuk janë të stërvitur mirë se kanë ardhur para pak ditësh e kanë luajtur 2 ndeshje. Pata mundësi të aktivizoja Ramadanin, ishte normale që edhe të humbim. Është shumë e vështirë që në 6 ditë të luash tre ndeshje.
Do të vazhdojmë punën, në ditë në vazhdim do të mundohemi të bëjmë miqësore, do të kemi edhe afrimet e reja. 4 pikë janë mirë. Unë besoj se sot kishim 2 penallti për ne, njëra ishte 100%.
Kam folur me Gilmanin dhe e besoj atë, është lojtar me eksperiencë, është vendim i gjyqtarit, puna e tij. Pjesa e parë ishte shumë e mirë, kishte nervozizëm. Njerëzit bërtitnin se nuk jepeshin faulla. Edhe ajo e Gilmanit është 100% kurse kjo është shtyrje e lojtarit.
Protestat? Është diçka normale, për ata që shohin futboll është normale, por nuk është mirë që hodhën shishe dhe ndërprenë lojën disa herë. U dërgoj mesazh fansave që ndeshjen e humbëm por faleminderit për mbështetjen, lojtarët dhanë maksimumin dhe do të punojmë pa pushim. Kampionati nuk ka mbaruar tani, i ftoj të mbështetin skuadrën me normalitet.
Dua të flas edhe me skuadrën të heqim emocionet, të luajë me mendje. Herën tjetër do të fitojmë në Tiranë”, tha Jonuz.







