Gjatë 90 minutave të ndeshjes së sotme miqësore me Besëlidhjen, është parë shpeshherë në këmbë pranë vijës anësore duke udhëzuar futbollistët e tij. Në ndonjë moment edhe i nervozuar, por në fund të saj, trajneri i Vllaznisë ka deklaruar se miqësorja ia arriti qëllimit.

“Vllaznia ka vetëm 10 ditë stërvitje por është shumë e fortë. Ishte një ndeshje që më shërbeu shumë sepse pashë për herë të parë në fushë ekipin tim, edhe për faktin se ka ndryshuar sistemi i lojës së saj.

Lojtarët kishin pak probleme me ngarkesat, por ishte ndeshja e parë dhe kjo është e pranueshme. Ndërsa në pjesën e dytë i dhamë shansin të luajmë të gjithë lojtarëve dhe pashë që ka 2-3 lojtarë me potencial shumë të madh”- është shprehur ai.

Ndërkohë i pyetur në lidhje me lojtarët e ardhur nga merkatoja, nëse ishte i kënaqur nga paraqitja e tyre, trajneri Jonuz është shprehur: “Janë lojtarë të mirë, me eksperiencë dhe që do të jenë të nevojshëm për ekipin sepse siç e patë, shumicën e ekipit e kemi me lojtarë të rinj.

Megjithatë unë jam në kontakte të vazhdueshme me drejtorin teknik dhe administratorin dhe po shohim mundësinë e marrjes edhe të lojtarëve të tjerë, me të cilët skuadra do të jetë edhe më e fortë”.
© shkodrasport.com