Në Belgjikë luhet java e dytë e kampionatit vendas, dhe Sindrit Guri e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë vit.

Pasi shënoi në miqësoret e verës, sulmuesi shkodran gjeti rrugën, në takimin e javës së dytë, që Ostende luan në shtëpi përballë Sersle Bryzh.

Miqtë kishin kaluar në avantazh që në minutën e 7-të, por ishte Guri që shënoi në të 32-tën. Shkodrani kërceu me kokë, pas një krosimi nga e djathta, dhe ia doli të çojë topin në fundin e rrjetës.

Vetëm pas 8 minutash, Guri ishte sërish protagonist, ku në një goditje këndi, detyroi mbrojtësin Sadi të miqve, të çonte topin ne rrjeten e tij.

Guri nuk u ndal, dhe “hipotekoi” fitoren për Ostenden, teksa shënoi edhe golin e tretë të ekipit. Në minutën e 87-të, pasi mori një top nga e majta, shkodrani kaloi një mbrojtës, dhe çoi topin pas shpinës së portierit, duke siguruar 3 pikët për ekipin e tij.