Vllaznia duhet t’ia nisë nga fillimi. Kërkimet për sulmues janë rihapur. Kur dihet që tregu vendës ka mangësi “bomberash”, kërkimet do të zhvendosen jashtë kufijve. Stafi teknik dhe ai organizativ po bëjnë çmos që të “godasin” në shenjë dhe një e kanë pikasur tashmë.

Burime pranë shkodranëve bëjnë me dije për “Panorama Sport” se këto ditë do të vijë një lojtar afrikan për këtë rol. Ashtu si në rastet e fundit, emri i tij mbetet “sekret” prej klubit. Por e vetmja gjë që zbulohet, është se lojtari do i bashkohet ekipit që në Ohër.

DËSHTIMET

Vllaznia i ka bërë keq llogaritë për sulmin. Situata ka “ngecur”, ndonëse kishin në dorë një lojtar si Silvio Xhunior në skuadër. Shënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë u largua, pasi klubi nuk e pa të udhës që ta sillte për të rinovuar. Braziliani zgjodhi të shkonte në Sllovaki për të vijuar karrierën e tij.

Pas tij u kontaktua Hebaj, por ky i fundit hezitoi prej ofertës financiare. Në lojë ishte edhe një brazilian tjetër që u prit t’i bashkohej ekipit që para nisjes për në Maqedoninë e Veriut. Por nga sa mësohet, ai ka kthyer përgjigje negative. I gjithë ky rrugëtim për të gjetur një “pykë” dëshmon se skuadra po vuan.

TË RINJTË

Vllaznia vazhdon përgatitjet e saj për sezonin e ri. Skuadra prej ditësh është zhvendosur në Ohër, ndërsa trajneri po punon që të ketë gati ekipin për fillimin e sezonit 2019-2020. Mirsad Jonuz e ka thuajse të kompletuar ekipin, pa përfshirë këtu sulmin. Ky është reparti më deficitar i kuqebluve.

Vllaznia

Në dispozicion ka vetëm tre të rinj. Përtej talentit, mungesa e përvojës i penalizon. Ata të vetëm nuk mund të përballojnë një kampionat si Kategoria Superiore. Belajd Pusi, Silvio Zogaj e Karmelio Palushani janë të vetmit lojtarë që janë të gatshëm në këtë ofensivë.

Por deri më tani nuk kanë bindur plotësisht stafin teknik. Maqedonasi në dy miqësoret e zhvilluara gjatë ditëve të përgatitjes në Ohër ka provuar lojtarët e sipërpërmendur dhe Shtubinën, por ende s’ka gjetur rehat./panorama-sport/