Fjoart Jonuzi ia ka marrë dorën golave spektakolarë në këtë sezon me fanellën e Vllaznisë. Mesfushori kuksian me perlën e tij vulosi fitoren e djeshme ndaj Teutës.

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” Jonuzi pohoi se golin ia dedikon familjes. Titullin e shikon të vështirë, por Kupa mbetet prioritet për të kapur shpejt Europën.


Një fitore e merituar, por rrezikuat pas atij fillimi 3-0?

Ishte një fitore e merituar. Mund ta mbyllnim shumë më herët takimin. Kur je 3-0 duhet që të dish ta administrosh, por na kapi pak euforia dhe e rrezikuam pak ndeshjen. Gjithsesi, me disa ndryshime në pjesë të dytë e kapëm sërish veten dhe morëm atë që donim, fitoren.


Shënuat golin e dytë në sezon, pothuajse identik si me Dinamon…

Normalisht jam shumë i lumtur me golin, por më shumë me fitoren e arritur. Këtë shpresoj dhe besoj ta vazhdojmë edhe në të ardhmen. Por, pse jo edhe për të shtuar serinë e golave.

Kujt ia dedikoni golin ndaj Teutës?

Goli shkon për familjen time. Ato janë mbështetja më e madhe për mua.

Vllaznia pretendon sërish për kampion apo ju ka mbetur vetëm Kupa për trofe?

Janë edhe shumë pikë në lojë. Ka ndeshje të forta shumë, kemi përballje direkte me Tiranën. E kemi të vështirë, por duhet të luftojmë deri në fund.

Pra, Kupa është objektivi primar…

Sigurisht që të pretendojmë Europën dhe një mundësi të mirë e kemi edhe nga kampionati. Besoj se edhe në Kupë do të jemi deri në fund.