Fjoard Jonuzi mesfushori kuksian i Vllaznisë e shikon një përballje të luftuar atë të fundjavës së ardhshme ndaj Tiranës. Ai për “Panorama Sport” ka vlerësuar maksimalisht atë që ka dhënë skuadra në takimin ndaj Kukësit. Për mesfushorin Vllaznia duhet të kishte më shumë pikë, megjithatë ai e quan si mjaft interesant dhe me shumë rivalitet këtë pjesë të sezonit.

Tri pikë me shumë vlerë pas një ndeshjeje relativisht të mirë, por sërish minutat e fundit po kthehen në një makth për Vllazninë?

Po mund të themi kemi bërë një ndeshje të mirë me raste edhe dominim, pavarësisht se në minutat e fundit ishim në vështirësi. Është normale, sepse edhe Kukësi ka ekip cilësor dhe do të kërkonin për të shënuar edhe duke parë ndeshjet tona të fundit, që kemi hasur vështirësi në fund bëhet pastaj edhe psikologjike. Po e rëndësishme është që arritëm ta kalonim me sukses.

A duhet që Vllaznia pas këtyre javëve të kishte më shumë pikë?

Po edhe kemi pasur mundësi për më shumë, duke parë disa ndeshje si i kemi zhvilluar. Mund të them se jemi në rrugë të mbarë.

Ju vjen keq që Vllaznia në këtë sezon po vuan të gjejë golin, çfarë po ndodh?

Ky kampionat është i fortë dhe pikët do të shpërndahen. Në këtë kampionat është e vështirë të shënosh shumë, po e rëndësishme është të jesh ekip kompakt, e që mbas çdo goli që shënon duhet ta mbash rezultatin. Kam besim se do të shkojmë drejt përmirësimit.

Mund të thoni se para këtyre 11 javëve jeni i kënaqur me renditjen?

Mendoj që ka akoma punë për të bërë. Kampionati është i gjatë me ekipe që të gjithë mund të të hapin probleme, kështu që të punojmë të përqendruar dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një.

Çfarë po ndodh në këto javë, të gjithë ekipet po paraqesin oshilacione?

Kjo, sepse ekipet janë të gjithë të motivuar për të marrë pikë dhe i kanë mundësitë. Në qoftë se nuk jep maksimumin, çdo ekip të merr pikë. Kështu që e thashë duhet marrë çdo ndeshje me radhë dhe duhet dhënë 100% në çdo takim.

Java e ardhshme ju afron një sfidë të vështirë ndaj Tiranës?

Po është një ndeshje e fortë. Do të luajmë me vendin e parë. Ato kanë një ekip të mirë, por edhe ne jemi një ekip cilësor. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe do ta vlerësojmë, duke punuar të përqendruar në stërvitje gjatë gjithë javës.

A do të kërkojë sërish Vllaznia një tjetër fitore në kryeqytet, si ajo e fazës së parë?

Normalisht që besojmë, sepsei kemi mundësitë. Kemi ekip cilësor, po ndeshja fillon që nesër (sot) në stërvitje, pasi kemi punë për të bërë edhe të përgatitemi për një ndeshje të luftuar.