Në stadiumin “Loro Boriçi” prej ditësh ka nisur puna për mbjelljen e barit. Kështu, pas korrjes së barit dhe sistemimit të tij, pritet që të hidhet edhe fara e re, për të vijuar më pas me fazat e tjera të plehërimit dhe vaditjes.

Pauza që ka servirur ekipi i Kombëtares dhe ajo e Botërorit do të bëjë mirë për këtë proçes. Në fakt, nuk ka ende një datë fikse se kur do të përfundojë ky proçes në “Loro Boriçi”, por e sigurt është që deri me datën 8-dhjetor, fusha do të jetë 100% gati, pasi aty do të luajë Vllaznia e femrave ndaj PSG, për grupet e UEFA Champions League.

Vllaznia-Tirana është ndeshja që mbyll edhe 12-javët e para të Superiores, por siç dihet, stadiumi është në proçes pune. Kështu që, edhe “Klasikja e Shqipërisë” do të luhet jashtë Shkodrës.

Vendi ku do të zhvillohet kjo sfidë do të jetë në kryeqytet, më konkretisht në “Selman Stërmasi” dhe në program është që kjo ndeshje do të luhet të shtunën në orën 13:00.
Maringlen ZHIVANI