Bojkot te Kukësi, lojtarët nuk pranojnë të dalin në stërvitje për shkak të rrogave të pamarra.Burime të sigurta të “Panorama Sport” pohojnë se ditën e djeshme futbollistët kanë refuzuar të zhvillojnë normalisht përgatitjet nëse nuk paguhen. Bëhet fjalë për tre muaj, praktikisht për gjithë këtë sezon që lojtarët nuk janë paguar, ndaj kanë menduar këtë formë ekstreme për të kërkuar pagat e tyre.

Edhe më herët futbollistët kanë pasur pretendimet e tyre, por nuk kanë dashur të agravojnë situatën dhe të ndikojnë te performanca e tyre në fushë, ndaj kanë heshtur.

Duke përfituar nga ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjes së Kombëtares, kanë kryer edhe bojkotin, i cili nuk dihet se sa do të zgjasë, pasi deri ditën e djeshme nuk ka pasur ndonjë marrëveshje.

Sakaq, burime të gazetës pranë klubit pohojnë se lojtarëve që kanë bojkotuar, u është kërkuar dorëzimi i bazës materiale.

REAGIMI – Gazeta u përpoq të merrte një reagim nga presidenti i Nderit, Safet Gjici, në lidhje me situatën që është përballur dje klubi, por ky i fundit nuk ka preferuar të flasë, duke mos e konsideruar si një kompetencë të tij, por e drejtuesve të tjerë të klubit.

“Nuk merrem fare unë me këta, ka klub aty”, ishte reagimi i kryebashkiakut Safet Gjici.

Në fakt, Gjici është më i prekuri nga e gjithë kjo situatë, sepse me ndërtimin e stadiumit të ri dhe investimeve në merkato, ka pritur shumë nga skuadra këtë sezon, e cila aktualisht rrezikon edhe mbijetesën.

Nga ana tjetër, një reagim për situatën e ka pasur drejtori Naim Halili, i cili mohon të këtë pasur bojkot. “Nuk është e vërtetë që ekipi ka bojkotuar”, u shpreh shkurtimisht Halili.

Sakaq, gazeta mëson se lojtarëve u janë vënë kushte më herët për fitimin e disa ndeshjeve në mënyrë që të paguheshin, por humbja e fundit ndaj Vllaznisë nuk është përtypur lehtë nga ana e drejtuesve.

Në njëfarë mënyre në Kukës i kanë konsideruar si gjoba këto ndeshje, sepse nuk janë marrë rezultatet e kërkuara. Gazeta mëson se klubi nuk do ta lërë me kaq këtë situatë, por priten përjashtime në masë, nëse nuk do të ketë reflektim ditën e sotme për t’u rikthyer në stërvitje.