Vllaznia ndryshoi disi në përbërjen e futbollistëve në këtë merkato verore. Pavarësisht se shkodranët ruajtën pjesën më të madhe të titullarëve të sezoneve të fundit, nga ekipi u larguan edhe elementë të rëndësishëm si Adili, Diagne, Krymi apo Da Silva. Por që drejtuesit dhe stafi teknik i morën masat duke afruar futbollistë të tjerë në gjirin e kuqebluve.

Një prej futbollistëve që u afrua thuajse që në fillimin e merkatos verore ishte Lorik Boshnjaku. Për shumë kënd në Shkodër apo edhe në mbarë ambientin e futbollit shqiptar ishte një i panjohur. I aktivizuar tek Prishtina përgjatë gjithë karrierës së tij, ku madje ishte edhe kapiteni i skuadrës e po ashtu kampion i Kosovës në sezonin 2020-21, mesfushori zbarkoi në Shkodër.

Kjo edhe falë këmbënguljes së trajnerit Mirel Josa që e kishte pasur nën urdhërat e tij në periudhën kur kryeqytetasi drejtonte Prishtinën. E në këtë mënyrë i njihte shumë mirë cilësitë e 27-vjeçarit.

Cilësi që ranë menjëherë në sy edhe për publikun shkodran. Ku që në ndeshjet europiane kundër Univ.Cariova, Boshnjaku ishte më i miri i Vllaznisë në të dy sfidat. Forma e mirë vijon edhe në kampionat, ku mesfushori i ka luajtur të gjitha minutat e plota.

Grinta, forca dhe loja me topa janë ato që spikasin tek Boshnjaku që tashmë i ka bindur të gjithë se ai është një lojtar që meriton të jetë pjesë e Vllaznisë. Dhe patjetër një nga pikat e forta në një sezon që parashikohet plot rivalitet dhe përplasje të forta në Superiore.
Endri ÇINARI