Laçi barazoi me Tiranë në Elbasan edhe pse me një lojtar më pak në sfidën e javës së 25-të të Superiores. Trajneri i kurbinasve, Mirel Josa, i cili ishte i lumtur për shpirtin që tregoi skuadra e tij.
“Pika është e vlefshme. Unë kam mendimin që pjesën e parë e nisëm shumë mirë. Presuam Tiranën në gjysmëfushën e saj. Pastaj u prishën ekuilibrat me daljen me të kuq të mbrojtësit tonë. Skuadra duhet të tregohej më e qetë. Menduam më tepër për t’u mbrojtur dhe t’i rregullonim punët në pjesën e dytë.
Pësuam golin që erdhi si pasojë e një karamboli dhe mund të themi që skuadra kishte iniciativën dhe luajti si e barabartë me Tiranën. Edhe mbas barazimit shkuam prapë në portën e Tiranës. Të thuash nuk isha i kënaqur me rezultatin është hipokrizi. Duhet t’i përgëzoj çunat për shpirtin e treguar.
Unë frikë nuk kam nëse futbollistët i kam në këtë gjendje. Nuk ka kundërshtar të dobët ose të fortë. Thjesht duhet të bëjmë punën tonë më me zell. Mua më intereson vetëm fitimi i tre pikëve.
Ne ishim në disavantazh. Në momentin kur ishim në disavantazh kishim iniciativë dhe barazuam. Tirana kujtoi se ndeshja ishte e mbaruar me 1-0. Por nuk mund të themi që u kap në kundërsulm. Duhet të ishim shumë të kujdesshëm.
Njëri nga lojtarët tanë, qoftë Ujka, qoftë Kryeziu duhet ta mbushnin qendrën e mesfushës. Tirana po të ishte më e kujdesshme mund të shënonte. Unë duhet të komplimentoj lojtarët për shpirtin e garës që dhanë. Ata treguan një përqendrim shumë të madh edhe kur ishim me një lojtar më pak”, tha Josa për “MCN”.