Mirel Josa ka kthyer për të dytin vit radhazi Kupën e Shqipërisë në Shkodër, duke triumfuar me Vllazninë në finalen ndaj Laçit, Një finale, që siç e pranoi ai në “Sport News”  në “News 24”, ka qenë shumë e çuditshme për rrethanat se si brenda një periudhe të shkurtër kishte drejtuar të dy skuadrat.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatores Enxhi Biba, Josa tregoi se si po e përjeton këtë kthim te Vllaznia, emocionet pas trofeut të radhës në karrierën e tij, por edhe planet për të ardhmen.

“Trofeu normalisht është i veçantë për faktin se edhe nevojat e klubit në këto momente ishin shumë imediate. Jo vetëm për të shkuar të punoja unë, por për faktin se skuadra kishte nevojë të merrte pjesë në Europë.

Kishte bërë një rrugëtim gjatë këtij viti me shumë ulje-ngritje, por erdhi problemi që erdhën ndeshjet e fundit në kampionat që ne nuk përfituam asgjë, thjesht unë për të parë gjendjen e skuadrës, se vareshim nga rezultatet e te tjerëve, edhe pse ne punën tonë e bëmë. Dhe erdhi ndeshja finale që për mua ishte shumë e çuditshme, jo për si u zhvillua, po sepse rreth një muaj më parë isha trajneri i skuadrës kundërshtare.

Njeriu mendon për punën çfarë kam bërë mirë e keq. Më mirë mendojmë çfarë kemi bërë keq, ku kam gabuar unë, por kështu ishte vendimi i drejtuesve të Laçit, të cilët i kam falënderuar për bashkëpunimin kur u largova. Qëlloi shansi që në finale të isha kundër ish-skuadrës time, që e kisha drejtuar më parë. Erdhi problemi që drejtoj Vllazninë.

Sa i përket ambientit shkodran, unë e njoh jo shumë mirë, por në mënyrë perfektë. Dhe kjo nuk varet vetëm se e njoh unë, por nga mënyra se si më kanë pritur qoftë herën e parë, të dytën e të tretën. Tani nuk kam pasur shumë vështirësi, se gjatë kohës që kam qenë kundërshtar se u bënë 11 vet i larguar nga Vllaznia, por kur kam shkuar në Shkodër si kundërshtar, më kanë pritur me ovacione të papara. Ndaj pritja e tanishme nuk më bëri shumë përshtypje, thjesht më dukej vetja sikur kam qenë para një viti trajner në Shkodër.

Në autobus me gruan pas finales duke festuar ditëlindjen? Isha përgatitur që të kthehesha në shtëpi pas ndeshjes por me insistimin e presidentit, se edhe rezultatit nuk i dihet, të gjitha nuk janë të parashikuara… Presidenti më tha që duhet të kthehesh në Shkodër dhe ishte normale kjo kërkesë e tij. Unë i telefonova, i thashë gruas që nuk rri në Tiranë, ajo tha ‘jo, do vij unë’. Tha ‘do akomodohem në makinë’ dhe i thashë jam në autobus me ekipin.

Pastaj nuk ia kisha idenë e orës se meqë filloi ndeshja vonë, shtesa, plus festa e gjërat që u bënë, vetëm kur filluan lojtarët duke kënduar “Happy Birthday’, atëherë thashë shkoi ora 12. Ishin momente emocionuese.Për mua nuk ka dhuratë më të madhe se gëzova publikun e Shkodrës, drejtuesit e Vllaznisë, lojtarët, sepse normalisht ata më gëzuan më tepër, unë e mora gëzimin nga ana e tyre, si u përkushtuan në lojë, u përkushtuan për të arritur objektivat e klubit.

Superkupa me Tiranën? Unë kam jetuar dhe momente të bukura kundër Tiranës, edhe momente të trishtueshme. Ka qenë momenti më i trishtueshëm i historisë time si trajner që Tirana ra nga kategoria në Shkodër, në përballjen me Vllazninë, trajneri i Vllaznisë ishte një nga shokët më të ngushtë, Armando Cungu. Ajo ishte ndeshja më e vështirë, pavarësisht rezultatit, sido të shkonte loja në stadium të mbushur, ka qenë një nga momentet më të vështira të jetës time si trajner.

Një tjetër shumë i vështirë ishte kur Tirana u eliminua nga Ferencvaroshi, kur Vllaznia u eliminua nga Thuni i Zvicrës në minutat e fundit, se ishte shumë e mirë për skuadrën të vazhdonte ekonomikisht dhe në play-off të Europa League do të na binte me Palermon.

President asokohe ka qenë Valter Fushaj. Për mua, të them të drejtën është një gjë shumë efikase që Vllaznia, presidentët të cilët kanë bashkëpunuar e njerëzit që nuk kam bashkëpunuar, kanë mirënjohje shumë të madhe. Dhe në futboll përveç të tjerave është mirënjohja dhe shoqëria që lë në një klub.

Që të fitosh një trofe nuk është meritë e një trajneri që punon në një klub, është meritë e klubit dhe hallkave të strukturës së klubit. Unë pata fatin që trofeun e parë e kam marrë me Tiranën, pata fatin të punoj me ata futbollistë, ndër skuadrat më të mira që kam drejtuar. Tirana është një fanellë shumë, shumë, shumë e rëndë.

Pata fatin të kem president El Sajedin, i cili për mua ka qenë një nga presidentët më korrekt në raportet me trajnerët. Për mua ka qenë një eksperiencë shumë e madhe, pra fillimet e mbara, pastaj njeriu fiton një farë emri, futet në treg, futbolli zhvillohet dhe pastaj bëra lëvizjet e mia e erdhën me radhë Lushnja e Korça në fillim fare. Se me tre herë trajneri i Vllaznisë, barazova Korçën ku kam qenë tre herë trajner i Skënderbeut.

Momente të vështira ka pasur gjithmonë, ka pasur një moment jo lodhje, por çlirimi që kur vjen një moment e shikon që skuadra nuk ndjehet më, drejtuesit janë mërzitur me ty, se janë edhe këto momente. Kur është marrë vendimi nga drejtuesit, se asnjëherë nuk kam ikur me konsensus nga skuadra, thashë shyqyr u lirova e do bie rehat për disa muaj. Por kurrë nuk kam thënë nuk do të merrem më me këtë profesion”, tha fillimisht Josa./panorama- sport.com/