Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, ia vë fajin rrëshqitjes së kuqebluve në klasifikim mungesës së golave, sidomos në ndeshje kaq delikate.
Në “Gol pas Goli”, ai u shfaq i ndërgjegjshëm që tashëm gjërat nuk ishin të gjitha në dorë të shkodranëve.
Për barazimin e sotëm
“Nuk na vlen dhe jemi shumë të dëshpëruar se nuk bëmë çfarë duhej dhe duhet të vazhdojmë luftën.
Të bëjmë maksimumin dhe të shpresojmë që kundërshtari të rrëshqasë”.
Për vështirësitë në ecuri në administrimin e klubit nga Bashkia
“Për momentin nuk jap dot shpjegime, është debat më i gjerë që nuk më takon ta bëj sot”.
Për lojën ofensive që provoi
“Kishim menduar ta zgjidhnim kështu sot, nuk arritëm ta bënim. Në pjesën e dytë presioni ishte shumë i madh, nuk ishim të qetë për të bërë atë që duhej të bënim.
Këto janë ndeshje delikate ku duhet medoemos që dikush të dalë te goli që skuadra të çlirohet”. /vipsport/