Nga Belgjika dhe Spanja, te… Butr inti. Simon Simoni nuk pushon asnjë sekondë. Portieri ka luajtur së fundi tri ndeshje të plota brenda një jave, dy prej tyre me Kombëtaren U-19 (më 21 shtator ndaj Belgjikës dhe 24 shtator ndaj Spanjës), dhe një në Kupën e Shqipërisë ndaj Butrintit të mërkurën.

Pritej të luante Edvan Bakaj në fakt në Sarandë, pasi stafi teknik bëri rrotacion gati total, por 18-vjeçari lezhjan zbriti sërish në fushë. Dhe pas kësaj sfide, konfirmoi superformën që po kalon. Në 4 ndeshje zyrtare të këtij sezoni me Dinamon, nuk ka pësuar asnjë gol.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, lezhjani flet për këtë fillim pozitiv të sezonit, ruajtjen e portës të paprekur dhe të ardhmen e tij.

“E kemi nisur mirë këtë sezon, siç e tregojnë vetë rezultatet. Kryesojmë renditjen pas tri javësh dhe besoj se do të vazhdojmë në këtë rrugë, pse jo dhe të shkëputemi më shumë. Kemi një skuadër të mirë, të kompletuar, që di të marrë më të mirën në fushë. Kemi lojtarë me shumë eksperiencë dhe të rinj të talentuar. Nuk ka shumë për të thënë për objektivat e Dinamos në Kategorinë e Parë.

Ne duam sa më parë të sigurojmë ngjitjen në Superiore. Me ekipin që kemi, jemi të bindur se do t’i arrijmë synimet tona. Ndoshta Kategoria e Parë nuk ka shumë ndryshim me Superioren. Këtu futbolli është më shumë fizik, por asgjë nuk na shqetëson. Dinamo ka nisur rrugën drejt kthimit në elitë dhe e rëndësishme është të vazhdojmë në këtë rrugë”, u shpreh thekson gardiani.

BASTI – Portieri ka edhe një “bast” me veten: “Nuk e shoh vetëm në aspektin personal, ndonëse më vjen mirë që nuk kam pësuar gol në këto 4 ndeshje. Uroj të zgjasë sa më shumë. Shpresoj që ta ruaj rrjetën të paprekur në 10 ndeshje radhazi, ose edhe më shumë. Por e përsëris, për mua ka rëndësi që Dinamo të marrë pikët e nevojshme për objektivin”.

E ARDHMJA – Emri i Simonit është lakuar shumë gjatë verës për kalimin në një kampionat të huaj, por ai vazhdon të mbrojë portën e Dinamos. Në pritje të një oferte serioze.

“Unë di të them se aktualisht jam i fokusuar vetëm te Dinamo. Për të ardhmen nuk kam dëshirë të flas shumë, le t’ia lëmë kohës. Kuptohet që e dëshiroj kalimin në një kampionat të huaj, por për momentin dua të jap maksimumin tim për fanellën e Dinamos”, pohon 18- vjeçari.

TË RINJTË – Dinamo ka në përbërje edhe disa lojtarë të tjerë të rinj, të cilët mund të ndjekin rrugën e Simonit.

“Po, kemi një grup lojtarësh të rinj të talentuar, të cilët mund të jenë e ardhmja e Dinamos. Janë vërtet të talentuar, me të ardhme. Të gjithë janë të mirë, por nëse do të më duhej të zgjidhja njërin prej tyre, do të përmendja Jordin (Jakun). Besoj se këta të rinj do t’i shërbejnë skuadrës në vazhdim”, përfundon Simoni.