Profesori i njohur Përparim Kabo është bërë mbrëmë pjesë e emisionit “Procesi Sportiv” ku ndër të tjera ka folur edhe për Vllazninë, lëshimin prej saj të vendit të parë dhe mundësinë për t’u rikthyer sërish në këtë pozicion.

“E falenderoj z. Xhaferi për atë që po bën te Vllaznia sepse të japësh para në këto momente krize edhe për biznesin është diçka për t’u vlerësuar në mënyrë maksimale.

Kur kam folur për Vllazninë herën e kaluar, pata thënë se në rast se kjo skuadër do të bënte një hap të gabuar duke humbur apo barazuar, kampionati mund të rihapet. Për këtë deklaratë shumë miq të mi në Shkodër mu mërzitën.

Por unë nuk e thashë atë gjë me dashakeqësi. Nuk mendoj se Vllaznia është jashtë loje, 2 pikë larg kreut është. Mjafton një fitore e rradhës apo dy fitore rresht dhe ata djem do të kthehen atje ku ishin.

Shpesherë rëndimi fizik vjen për shkaqe psikologjike. Kur gjërat nuk ecin si duhet, atëherë këmbët nuk të mbajnë, mendja nuk të përgjigjet dhe ana psikologjike nuk është një aleat i mirë për ty.

Do të sugjeroja që të mos e shikonin kështu. Kam përshtypjen se Vllaznia u influencua nga një kënaqësi e parakohshme për t’u shpallur kampion. Nuk është kaq e thjeshtë.

Unë do të mendoja se Vllaznia sivjet t’i rikthehej Kupave të Europës, do të ishte goxha arritje nëse mbajmë parasysh se nga çfarë situate vjen ky ekip. Megjithatë nuk do të ishte çudi që të dalë edhe kampione.

Nuk shoh ndonjë diferencë në mes Vllaznia, Teutës e Partizanit. Ndërsa Laçi mund të ketë ndoshta pak më shumë nga to, për të qenë më afër titullit”- ka thene profesori i njohur Perparim Kabo./SHKODRA-SPORT.COM/