Laçi ka humbur shumë terren në dy javët e fundit sa i përket arritjes së objektivit madhor. Me humbjen e thellë me Tiranën dhe barazimin në shtëpi ndaj Egnatias, kurbinasit janë distancuar me nëntë pikë me kreun që mbahet nga bardheblutë e trajnerit Orges Shehi.

Kalendari i dy javëve të ardhshme vë përballë Laçit dy skuadra të zonës së ftohtë, Kastrioti dhe Skënderbeu, që janë të përfshirë në luftën për mbijetesë. Fillimisht Laçi duhet të sigurojë objektivin primar që kanë pasur drejtuesit, sigurimi i pjesëmarrjes në Kupat e Europës.

Duke ditur se Vllaznia dhe Kukësi janë 6 pikë larg tyre dhe mbeten edhe 13 javë deri në fund, matematikisht i bie që Laçi të jetë në luftë për titull, por edhe për të qenë i kujdesshëm, për të mos zbritur poshtë vendit të tretë, që është kufiri i fundit për Europën përmes kampionatit.

Sipas kalendarit, i bie që kurbinasit të jenë faktor direkt në këto dy javë edhe për fatin e mbijetesës. Ndaj mbetet për të parë nëse Laçi do të jetë si frigorifer apo kamerdare shpëtimi për Kastriotin dhe Skënderbeun.

Në javën e fundit ishin rrogozhinasit, që gjithashtu po luftojnë për mbijetesë, që u morën pikë në Laç. Në rast fitoreje në këto dy javë, i bie që Laçi t’i ngrijë më shumë, ndërsa çdo pikë e lënë ndaj tyre shikohet si motiv shprese për krutanët dhe korçarët.