Kampionati shqiptar i futbollit të femrave pritet të startojë sezonin e ri në fillim të muajit tetor. Një vonesë e tillë ndoshta nuk kishte ndodhur më parë, kjo për shkak se ky kampionat ka pasur një riformatim së fundmi. Ku disa skuadra janë larguar nga kampionati apo edhe kanë ndryshuar emër për shkak që të kenë mundësinë që të marrin pjesë në kampionat.

Një nga ekipet që mund ta themi se ka pasur një riformatim ose më saktë një ndryshim emir është Atletik Klub. Ekipi shkodran që edicionin e kaluar zhvilloi lojëra pozitive pavarësisht se ishte ekipi me moshën më të re në kampionat, tashmë këtë sezon do jetë nën logon dhe emrin e Laçit. Kjo duke qenë në interesin e përbashkët të të dy palëve.

Kjo pasi kurbinasit duhet të kenë një ekip femrash, që në rast kualifikimi në Europë të plotësojnë kriteret që ka vënë UEFA. E po ashtu Atletik për të pasur mundësinë për të marrë pjesë në kampionat dhe të vijojë me projektet afatgjata. E nëse ka ndryshuar emri apo edhe logo e ekipit, asgjë tjetër nuk ka ndryshuar tek shkodranët.

Projektet e nisura prej vitesh tek akademia dhe tashmë prej 2-3 vitesh tek femrat do vijojnë të ecin. Stafi i trajnerëve apo edhe donatorëve dhe mbështetësve të skuadrës janë gati për një edicion tjetër të suksseshëm. Vajzat janë thuajse po ato të sezonit të shkuar, me disa prej tyre që janë edhe pjesë e kombëtareve tonave të moshave.

E ndoshta ky bashkëpunim i fundit me Laçin mund të rrisë akoma edhe më tepër konkurrencën tek futbolli i femrave. Pasi edhe investimet mund të jenë akoma më të mëdha tek futbolli i femrave. Një sport që në Shqipëri është ende i “brishtë” dhe që është dominuar totalisht nga ekipi i Vllaznisë në gjithë këto vite.
Endri ÇINARI