Alsid Tafili ishte i ftuar mbrëmë në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel. Futbollisti aktual i Tërbunit dhe ish-i i Vllaznisë foli për fitoren e fundit të kuqebluve ndaj Kastriotit.

Mesfushori vendosi theksin tek loja e dobët e shkodranëve, pavarësisht fitores, por duke thënë se për asnjë moment nuk e vendosi në diskutim trepikëshin. Tafili u shpreh se Vllaznia mendoi vetëm për tre pikët dhe ia arriti qëllimit të saj, ndërsa theksoi se trajneri i shkodranëve Mirel Josa nuk po tregon besim tek asnjëri prej dy sulmuesve, as te Kaina, por as tek Aralica.

“Vllaznia shënoi që në minutën e parë dhe më pas, ekipi mendoi vetëm për tre pikë. Nuk mendoi të zhvillojë një lojë të mirë. Nuk e zotëroi topin. Ia la këtë pjesë Kastriotit, por mendoj se nuk e vendosi në diskutim fitoren.

Nuk është se Kastrioti e befasoi me ndonjë rast. Vllaznia qëndroi në ekuilibër dhe ekipi ishte agresiv, pasi i fituan të gjithë dyluftimet. I vetmi problem që shoh te Vllaznia është pjesa e sulmuesit, ku shoh se trajneri Mirel Josa nuk ka besim te asnjëri sulmues, as te Kaina, as te Aralica.

Nuk kanë besim te këta, por as nuk janë futur në merkato për të marrë dikënd tjetër, duke parë se kemi shumë ndeshje përpara, nuk ishte vetëm Kastrioti tani. Megjithatë, mungesë shumë e rëndësishme është edhe Latifi, ku dihen tashmë vlerat dhe cilësitë e tij, ku në shumë raste e merr ekipin për dore. Mendoj që Vllaznia këtë javë duhet të qetësohet dhe të rikthehet në ndeshjet më të mira, sepse siç pamë edhe dje në stadium, tifozët nuk dolën shumë të kënaqur nga stadiumi.

Të marrësh tre pikë pas një humbje 3-0 ndaj Egnatias, mendoj se për një ekip është diçka pozitive, sepse edhe për trepikëshin luhet. Të rëndësishme në fund janë tre pikët. Ndoshta edhe përgatitja nga ana e stafit e formacionit nuk ishte shumë e mirë, duke bërë një formacion jo shumë sulmues, më shumë ishin mesfushorë se sa sulmues, por ndoshta në këndvështrimin e tij e ka parë ndryshe trajneri Josa.

Më mirë futbollist apo menaxher? Kjo e menaxhimit është diçka e re për mua. Kam krijuar shumë kontakte, kam shumë lidhje. Mendoj që do të jetë një profesion shumë i mirë për mua, sepse në Shqipëri pak a shumë mungojnë. Deri tani, kemi realizuar 13 transferime vetëm për gjashtë muaj që kemi filluar. Jam në bashkëpunim me një kosovar, me një turk dhe një rumun. Besoj se do të realizojmë diçka të bukur në vazhdimësi”,-tha gjatë prononcimit të tij, ish-mesfushori i Vllaznisë, Alsid Tafili.
Maringlen ZHIVANI