Shkruar nga Endri ÇINARI
Java e 33-të e kampionatit do të sjellë një përballje tejet të nxehtë në Superligën shqiptare, ku Vllaznia, e cila kryeson klasifikimin, do të udhëtojë në transfertë për të sfiduar Elbasanin, skuadrën që ndodhet një pikë pas shkodranëve në renditje. Ndeshja pritet të jetë vendimtare për të dyja ekipet, që luftojnë për të mbajtur kreun dhe për të bërë një hap të rëndësishëm drejt titullit kampion.
Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, do të mundohet të dërgojë në fushë formacionin më të fortë të mundshëm, duke shfrytëzuar rikthimet e disa lojtarëve kyç. Një nga këto rikthime është ai i portierit Leon Pohls, i cili do të kthehet si titullar pas pushimit në ndeshjen e Kupës, ku nuk ishte pjesë e formacionit titullar.
Mbrojtja e Vllaznisë gjithashtu pritet të ketë një përforcim të rëndësishëm me rikthimin e mbrojtësit Gurishta, i cili do të bashkohet me dyshen Gjini-Bajrami në qendër të mbrojtjes. Në krahët e mesfushës, Mala do të mbulojë anën e djathtë, ndërsa Jago do të luajë në të majtë, duke qenë të dy të përfshirë edhe në ndihmën për ndërtimin e sulmit.
Në mesfushë, Martini do të bëjë lëvizje taktike për të ruajtur kontrollin e lojës. Krymi, Kallaku dhe Dros pritet të formojnë një linjë mesfushorësh të fortë, me Drosin që ka treguar formë të në rritje gjatë këtyre javëve. Ndërkohë, Qato mund të ketë një mundësi për t’a nisur nga minuta e parë.
Në sulm, Vllaznia ka një zgjedhje të kufizuar për shkak të disa mungesave, por dyshja Balaj-Dodaj do të jetë e detyruar të udhëheqë ofensivën. Balaj, me një “thatësirë” prej 8 ndeshjesh pa shënuar do përpiqet të zhbllokohet ndaj verdhebluve, dhe Dodaj, me shpejtësinë dhe aftësinë për të krijuar hapësira, do të jenë çelësi i suksesit për shkodranët në këtë ndeshje vendimtare.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


