Vllaznia është një “makineri” golash këtë sezon. Skuadra shkodrane ka shënuar 30 gola në 17 javë të luajtura deri më tani. Por, ajo që e bën situatën më shumë optimiste te kuqeblutë është fakti se shënojnë thuajse të gjithë lojtarët, nga mbrojtja në sulm.

Në mbrojtje kanë dëshmuar cilësi para porte Olsi Gocaj (e ka gjetur 3 herë rrjetën), por edhe Renato Malota e Dan Ignat (kanë shënuar nga një).

Në mesfushë që të gjithë e kanë provuar shijen golit, duke filluar nga Krymi, Tafili, Zogaj, Lika apo Hajdari. Ndërsa në sulm, Vllaznia ka një goleador si braziliani Serxhio Xhunior, i cili deri tani mban firmën e 9 golave.

Edhe Eziamaka një javë më parë në ndeshjen me Vorën shënoi dopietë. Te Vllaznia kanë shumë besim se do të vazhdojnë me këtë ecuri pozitive edhe në javët që kanë mbetur. Dhe nëse ruhet ky ritëm, atëherë rikthimi në Superiore do të jetë një formalitet.