Rivaldo ka folur për bashkimin e mundshëm të Griezmann me Barcelonën. “Shumë lojtarë kanë frikë”, – tha braziliani në një intervistë për “Betfair”. Më tej, kampioni i botës me Brazilin ka nënvizuar se Real Madridi do të përpiqet të nënshkruajë me Neymar, ose Mbappé merkaton e verës. Së fundi, ai siguron se Neymar ndien keqardhje (është penduar) pse e ka lënë Barcelonën…

Griezmann te Barcelona – “Nëse e bën, ai duhet t’i bashkohet me personalitet skuadrës katalanase, që të bëjë ndryshimin si Suárez apo Messi. Nuk e di nëse ai dëshiron vërtet të shkojë te Barcelona. Shumë lojtarë kanë frikë ta bëjnë këtë, sepse në “Camp Nou” luan Messi, që bën dallimin nga kushdo.

Tek Atletico Madrid, Griezmann është lojtari përcaktues. Nëse shkon te Barcelona, aty ku Messi qëndron mbi të gjithë, do të jetë më në hije. Kjo gjë e shqetëson atë, sepse nuk do të ketë të njëjtin ndikim si tek Atlético Madrid”.

Neymar te PSG – “Është e qartë se bëri gabim, që u largua nga Barcelona. Nëse flisni me Neymar, babain, ose familjen e tij, do të kuptosh se janë penduar për atë vendim. Barcelona është Barcelona, Neymar është lojtar për nivelin e saj”.

Merkato e Real Madridit – “Real Madridi do të përpiqet të nënshkruajë me Neymar, ose Mbappé. Zidanes i duhen përforcime për një skuadër më të forte. Këtu e kam fjalën për lojtarë me reputacion, që luajnë mirë, që janë vendimtarë. Secili prej tyre (Neymar dhe Mbappe) është i denjë për Real Madridin”.

Gareth Bale – “Ai është një lojtar i madh, që ka bërë gjëra të mëdha te Real Madridi. Ka shënuar gola të rëndësishëm në finale e Ligës së Kampionëve, për shembull. Bale është një lojtar i madh, që në sezonin e fundit nuk ka qenë fort mirë. Një lojtar nuk mund të jetë gjithmonë 100%, por unë jam i sigurt se mund të ndryshojë nga një vit në tjetrin. Mendoj se mund të bëjë diçka të madhe te Real Madridi, sezonin e ardhshëm”./telesport/