Prezantimi i trajnerit të ri të Kamzës, Ernest Gjoka dhe Drejtorit të Përgjithshëm, Fabio Cordella, do të ndodhë ditën e mërkurë prej orës 11:00. Të dy kanë marrë përsipër një mision të vështirë, atë të shpëtimit të ekipit të Kamzës në Kategorinë Superiore.

Interesant është fakti që italiani Cordella ka pranuar këtë pozicion, duke ditur dhe CV e tij. Ai ka qenë drejtori i Juventusit për rajonin e Amerikës së Jugut, ndërsa ka mbajtur këtë pozicion dhe te skuadra e Honved në Hungari.

Italiani ka mbërritur mbrëmjen e së hënës në Shqipëri dhe është pritur në aeroportin “Nënë Tereza” nga drejtori sportiv, Andi Matraxhiu. Ky i fundit ka bërë të ditur ardhjen e italianit me anë të një postimi në “Intagramin” personal. Kamza nuk duket e dorëzuar, por shpreson që të kthehet në rrugën e duhur.

Afrimi i Gjokës dhe Cordella-s e tregon më së miri ambicien e klubit të drejtuar nga presidenti Naim Qarri për të qëndruar në Superiore.

“Shumë njerëz këto muaj më kanë pyetur se si mund të qëndroj larg futbollit. Në fakt, nuk mundem. Kam vendosur të pranoj ofertën e Kamzës, të cilët i falenderoj për mundësinë dhe do të jem drejtor i përgjithshëm i skuadrës.

E nis këtë aventurë me shumë entuziazëm dhe pasion. Ne kemi një projekt të rëndësishëm për të ndërtuar, le ta bëjmë!“, – shkruante Cordella në Instagramin e tij në momentin që mori përsipër drejtimin e ekipit të Kamzës.