Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, mendon se fitorja ndaj Kastriotit është pika e kthesës për kuqeblutë në kampionat. Pas një ecurie të dobët, me rezultate negative të njëpasnjëshme, shkodranët u rikthyen në krye të renditjes falë një goli në frymën e fundit nga Ardit Hoxhaj.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gurishta tregon për momentin e keq që kaloi skuadra, fitoren e fundit, si dhe i përgjigjet deklaratës së trajnerit të Kastriotit, Ramazan Ndreu. Ai flet edhe për ndeshjen e pas dy javëve ndaj Partizanit, ku për fat të keq do të mungojë për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve.


Erdenis, një fitore në frymën e fundit ndaj Kastriotit dhe që përkon me rikthimin në krye të renditjes…

Së pari, mendoj se ishte një fitore e merituar. Luftuam dhe besuam deri ne momentet e fundit për të marrë tri pikët. Shpresoj që kjo fitore ndaj Kastriotit të jetë edhe pika e kthesës në kampionat.

Trajneri i Kastriotit, Ndreu, u shfaq i revoltuar pas ndeshjes për sjelljen e lojtarëve të Vllaznisë duke theksuar se festuat para stolit të krutanëve për t’i provokuar. Keni një koment për këtë?

Humbja në minutat e fundit djeg gjithmonë, prandaj e kuptoj revoltimin e tij. Shpresoj që Kastrioti të luajë me çdo skuadër ashtu siç luajti kundër nesh.

Pas pauzës kampionati vijon me kryendeshjen Vllaznia-Partizani. Është momenti që skuadra shkodrane të bëjë edhe pak llogari në këtë situatë delikate të sezonit?

Pas fitores së fundit na është rikthyer besimi, prandaj dhe jam i bindur se ndaj Partizanit do jetë një ndeshje e bukur dhe hapur, por asnjëherë nuk do të luajmë për mos ta humbur.


Çfarë doni të thoni me këtë, nuk kënaqeni as me një pikë ndaj të kuqve?

Vllaznia do të luajë për ta fituar ndeshjen.