Taulant Seferi është i lumtur për ndeshjen e tij të parë si kapiten i shpresave të Shqipërisë.

Futbollisti nga Kumanova u dallua në fushë në takimin kundër Bjellorusisë, ndërkohë që përveç paraqitjes së tij, ai në vendin fqinj u vu në qendër të vëmendjes për shkak të një fotografie të postuar në rrjetet sociale.

“Kumanova është Shqipëri” ishte mesazhi i tij poshtë fotos, gjë e cila acaroi sllavo maqedonasit. Gjithsesi, mesfushori i kuqezinjve tha se ai nuk e kishte bërë këtë gjë për të krijuar konflikte.

“Me Bjellorusinë kemi bërë dy ndeshje shumë të bukura dhe kjo gjeneratë e 1999 ka kualitete shumë të mira. E merituam fitoren në të dyja takimet me Bjellorusinë, por rëndësi ka që morëm  fitore në njërën nga ato.

Kam pasur emocione të mëdha duke mbajtur shiritin e kapitenit të Shpresave. Për mua ishte një nder dhe krenari. Nuk e kisha pritur, u nisëm prej hotelit në stadium dhe kur pashë shiritin te dollapi im u befasova shumë.

Kur e bëra foton me fanellën e Shqipërisë duke thënë se Kumanova është Shqipëri, nuk e kisha qëllimin për të mërzitur maqedonasit.

Megjithatë ai është mendimi imi dhe i çdokujt që e ndien veten shqiptar. Nuk doja të provokoja maqedonasit, pasi kam luajtur aty, por dua të theksoj edhe njëherë se ky është mendimi i të gjithë shqiptarëve.

Kam parë fyerjet e maqedonasve pas këtij veprimi të bërë nga ana ime, por nuk më interesojnë ato, dua të eci përpara.

Ëndrra ime është që të thirrem nga Panucci sa më shpejtë, do të jap shpirtin në fushë me Kombëtaren”, tha Seferi “Lajmi TV”. /EDS/