Agron Kastrati, ish-gjyqtar futbolli dhe tashmë pjesëtar i sektorit të vëzhgimit të gjyqtarëve të ndeshjeve, mendon se Vllaznia nuk ka dhënë më tepër, që të jetë më lart në tabelën e klasifikimit. Në “Sport Show” në TV1-Channel, Kastrati shpjegoi se mosfinalizimi i rasteve para portave kundërshtare, ka qenë arma më e dobët e trajnerit Brdariç.

“Lajmi që dëgjova për sa i takon shkarkimit të trajnerit Brdariç, më erdhi keq. Sa i takon ecurisë së Vllaznisë, shkodranët janë në ato nivele, të cilin e meritojnë të jenë në atë vend, pasi nuk ka dhënë më tepër.

Ne e pamë edhe ndeshjen me Tiranën. Tirana e dominoi ndeshjen. Ne na vjen keq që humbëm, por ne nuk kemi akoma një shënues tipik të Vllaznisë, pra për të konkluduar.

Ne arrijmë të bëjmë raste loje, volum loje, por nuk arrijmë të shënojmë. Kjo ndoshta ka qenë ajo arma e dobët e trajnerit Brdariç dhe mendoj që ata që e kanë larguar, e dinë më mirë.

Goli është pesha e çdo ndeshje, megjithatë nganjëherë edhe fati, nuk ka qenë shumë me Vllazninë”,-tha gjatë prononcimit të tij, Agron Kastrati, ish-gjyqtar futbolli.
Maringlen ZHIVANI