“Vllaznia as nuk ka filluar dhe as nuk ka mbaruar me largimin e Tomas Brdariçit”. Alban Xhaferi e nis me një thumbim bisedën për “Panorama Sport” pas shkarkimit të trajnerit gjerman. Në intervistën ekskluzive për gazetën dje në mbrëmje, presidenti i Vllaznisë sqaroi pse vendosi të largonte në këtë moment trajnerin që riktheu trofetë në Shkodër dhe drejtoi skuadrën për plot 20 muaj.
Ai tregoi edhe pse beson tek Elvis Plori dhe Auron Miloti për një mbyllje të suksesshme të sezonit.

Alban, së pari pse vendosët të largonit Brdariç në këtë moment?

Ndryshimet bëhen gjithmonë kur ke mungesë rezultatesh dhe për momentin ke dalë jashtë objektivave. Menduam që të bënim një ndryshim me idenë për të forcuar gjërat ose më saktë për të rregulluar situatën në ekip.

Pra, për ato gjëra që nuk kanë funksionuar deri më tani ose më mirë me thënë nuk kanë shkuar ashtu siç kemi pretenduar ne. Me gjithë respektin dhe konsideratën për Brdariçin, nuk pati sukses te rezultatet në kampionat dhe kjo është finalja.


Përveç faktit që jeni jashtë garës për titull, a kishte diçka tjetër që nuk shkonte në raportin me Brdariçin për të shkuar deri në këtë pikë?

Ne kemi kohë që na mungojnë rezultatet dhe kjo sjell edhe problemet e tjera, duke vendosur fajin te njëri apo tjetri. Nuk mjafton ndonjëherë vetëm puna e fortë, pasi kur nuk merr rezultatet që ti dëshiron, çdo gjë zhbëhet.

Unë bazohem gjithnjë te rezultatet për të marrë më pas veprimet. Nuk dua të atakoj apo të cilësoj të meta, por te rezultati derivojnë të gjitha. Mungesa e rezultatit sjell veprimin.

Trajneri është ankuar shpesh për kushtet e punës, veçanërisht për terrenin ku stërvitej ekipi. Ishte ky një problem që ndikoi shumë këtë sezon?

Jo, tashmë është e kundërta në fakt. Që prej muajit janar u bë fusha e re në “Reshit Rusi” dhe trajneri ka pasur kushtet e duhura për të punuar me ekipin.

Ankesat e tij për fushën kanë qenë në vitin e kaluar, pra që i takon pjesës së parë të sezonit. Infrastruktura ka qenë shumë e mirë për këtë vit dhe nuk mendoj se është justifikim.

Kontrata u zgjidh me konsensus apo në mënyrë të njëanshme dhe Brdariç ka pretendime ende?

Nuk mund të jap detaje për këtë, sepse është një diskutim personal që kam me trajnerin. Janë detaje private. Brdariç është munduar të bëjë më të mirën për klubin, ka pasur edhe planet e tij.

Jemi ulur dhe kemi komunikuar për ndërprerjen e një marrëdhënieje kontraktuale. Nëse do të ndaheshim me mirëkuptim, atëherë do ta sqaronim në faqen zyrtare të klubit.


Pas humbjes me Tiranën u prek çështja e financave, madje ju vetë deklaruat për vonesat e rrogave…

Me sinqeritet ju them që ky është një diskutim shterpë, pasi klubi nuk menaxhohet më nga bashkia.
Vllaznia funksionon si çdo klub privat dhe marrëdhëniet tona me lojtarët janë individuale, që do të thotë se dikush ka marrë paradhënie, një tjetër mund të ketë diçka pa marrë etj.

Zhurmat me pagat kanë ndodhur në ekipe bashkie, për të atakuar ndoshta diçka që mund të ketë pasur lidhje me politikën. Por, tani ju them me bindje se çdo gjë funksionon me rregulla strikte dhe zhurma që u bë, ka qenë edhe prej një sinqeriteti të tepruar timin pas ndeshjes.

Lojtarëve të Vllaznisë nuk u ka munguar asgjë dhe këto rezultate janë të pajustifikueshme, sipas jush?
Absolutisht po. S’ka asnjë problem te Vllaznia, çdo gjë është OK. U bë viti i dytë që ekipit nuk i ka munguar asnjë element që e ndihmon për të arritur majat.

Vërtet nuk kemi 3-4 fusha stërvitjeje, por kushtet mendoj se janë mjaft të mira. Financat dhe çdo gjë tjetër që i nevojitet një skuadre profesioniste janë të garantuara.

Tashmë çfarë prisni nga Elvis Plori dhe Auron Miloti?

Vendosëm t’ia besonim stolin ndihmësit të Brdariçit, Elvis Plori, i cili ka një eksperiencë të gjatë, qoftë te Vllaznia, ashtu edhe në klubet e tjera.

I njeh të gjitha problemet dhe mendoj se është një zgjidhje e duhur për vazhdimin e projektit, për të korrigjuar gjërat që mendojmë se kanë pasur probleme.

Miloti vjen pas një eksperience të gjatë në Austri, ndërsa na ka ndihmuar në këto dy vite si skaut i klubit. Si Plori dhe Miloti i njohin mirë problematikat e Vllaznisë, kështu që besojmë se do të rikthehemi te suksesi.

Sezoni ynë shpëton me sigurimin e pjesëmarrjes në Europë, por duke tentuar deri në fund edhe fitimin e Kupës së Shqipërisë. Këta janë dy objektivat që kemi, pasi për titullin mendoj se Tirana është shkëputur shumë me pikë.