Sot, Kategoria Superiore do të ulë siparin e javës së 30-të me tre sfida interesante që do të zhvillohen në të njëjtin orar.

Në orën 16:45, në stadiumin “Selman Stërmasi”, do të luhet sfida Tirana-Kastrioti.

Bardheblutë rikthehen në shtëpinë e tyre pas gjashtë muajsh mungesë teksa do të kërkojnë fitoren për ta mbyllur edhe më shumë çështjen e titullit kampion, ndërsa krutanët synojnë suksesin e gjashtë radhazi në kampionat duke u shkëputur edhe më shumë nga zona e ftohtë e tabelës së renditjes.

Në orën 16:45, në stadiumin “Skënderbeu”, do të zhvillohet “finalja” e mbijetesës, Skënderbeu-Egnatia.

Korçarët e Skënder Gegës duan me çdo kusht tre pikët për të mbajtur ende gjallë shpresat për mbijetesë, ndërsa rrogozhinasit synojnë tre pikëshin që të largohet nga zona “Play-Out” ku aktualisht janë të pozicionuar.

Në po të njëjtën orë, në stadiumin “Elbasan Arena” do të zhvillohet një tjetër duel mbijetese, ajo mes Dinamos dhe Teutës.

Blutë e kryeqytetit ndodhen pa “busull” ku kanë koleksionuar pesë humbje radhazi duan kthesën ndaj kampionëve në fuqi të Shqipërisë për të marrë tre pikë me vlera për të mbijetuar, ndërsa durrsakët kërkojnë triumfin që i mungon prej tre ndeshjesh dhe për t’u larguar zonës “Play-Out”.