Hyri në kampionat “me shpejtësi” pas akordit me ekipin “Albanët” dhe për t’u përfaqësuar në vendin e tyre në kampionatin e kategorisë së dytë. Një vendim disi “i nxituar” ngaqë ekipi ishte formatuar për të konkurruar në kategorinë e tretë dhe kjo gjë e shtonte në njëfarë dyshimin nëse do të mund ta përballonte me sukses kampionatin e një kategorie më lart.

Por drejtuesit e KF Shiroka jo vetëm besonin, por edhe ishin shumë optimist se mund t’ia dilnin me sukses të përfaqësoheshin shumë denjësisht. E patën këtë besim edhe pas humbjes 0-2 në “Reshit Rusi” ndaj ekipit të Luzit. Ndoshta ndryshe nga shumë të tjerë që nuk besonin.

Dhe menjëherë pas kësaj disfate, do të vinte ngjitja. Shiroka do të fitonte javën e dytë në transfertë ndaj Adriatikut me rezultatin e pastër 3-0 duke koleksionuar në këtë mënyrë trepikëshin e parë. Një javë më vonë do të fitonte 3-1 Veleçikun dhe kjo tregoi se besimi tek skuadra po rritej.

Në javën e katërt sërish fitore në shtëpi, këtë herë 1-0 ndaj Naftëtarit ndërsa të shtunën mundi me rezultatin e pastër 4-0 brenda në Bushat ekipin e Basanias. Kjo do të thotë se në pesë ndeshje të luajtura, KF Shiroka ka arritur të grumbullojë 12 pikë, me 4 fitore dhe një humbje.

Aktualisht mban vendin e dytë në renditje por stafi teknik nuk dëshiron të ngutet. Trajneri argjentino- italian Matias Tatangelo në çdo prononcim të tij shprehet se “objektivi jonë i parë është të sigurojmë qëndrimin në kategori dhe më pas të shohim”.

Por tashmë nuk mund të fshihen më. Ata janë ndër ekipet më në formë të kampionatit dhe sfida e javës së ardhshme në “Reshit Rusi” ndaj Sopotit do të jetë vendimtare. Në rast arritje të një tjetër fitoreje, atëherë Shiroka duhet ta thotë me shumë zë: JEMI PRETENDENTË!