Një futbollist i talentuar i Vllaznisë do të stërvitet për 10 ditë me rradhë tek një nga ekipet më të njohura të Ballkanit dhe jo vetëm, pikërisht tek Dinamo e Zagrebit. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi Vllaznia përmes një komunikate për shtyp ku merret vesh se stazhi i këtij lojtari ka nisur nga dita e sotme dhe shpresohet që në kuadrin e marëdhënieve të mira në mes këtyre dy klubeve, bashkëpunimi të vazhdojë.

Ja çfarë shkruan klubi shkodran:
KOMUNIKATË PËR SHTYP
Hidhet hapi i parë i bashkëpunimit mes  Vllaznisë dhe klubit shumë të njohur kroat, Dinamo e Zagrebit. Falë këtij bashkëpunimi  profesional mes drejtuesve të dy klubeve, sapo është mundësuar një stazh punë për një nga lojtarët e talentuar të Vllaznisë. Bëhet fjalë për të talentuarin Uendi Vecaj, i cili sot ka mbërritur në Kroaci, ku edhe do të ketë fatin të stërvitet dhe testohet për një periudhë dhjetë ditore pranë Dinamos së Zagrebit. Shpresojmë e urojmë që bashkëpunime të tjera të vazhdojnë e të rrisin edhe më tej marrëdhëniet shoqërore e profesionale mes Vllaznisë dhe klubit kroat.