Vllaznia do të udhëtojë të shtunën drejt stadiumit “Elbasan Arena” për t’u ndeshur me Kastriotin. Ndeshja e vlefshme për javën e 32-të të Abissnet Superiore paraqet një interes të veçantë për të dyja skuadrat, të cilat luftojnë ende për synimet e tyre në kampionat.

Megjithatë, për këtë ndeshje në kontigjentin e skuadrës kuqeblu ka disa probleme dëmtimesh, ç’ka mund të sjellë edhe mungesa të shtunën ndaj Kastriotit. Kështu, bëhet fjalë për pjesëtarët e repartit të mbrojtjes, kapitenin Erdenis Gurishta dhe Darko Bulatoviç. I pari luan në pozicionin e mbrojtësit të djathtë dhe i dyti është aktivizuar në pozicionin e qendërmbrojtësit në prapavijën kuqeblu.

Poashtu, përveç tyre probleme ka shfaqur edhe sulmuesi shkodran Bekim Balaj, i cili nuk ka qenë i pranishëm në stërvitjen e sotme me pjesën e grupit të futbollistëve. Për të shtuar më pas edhe mungesën e mbrojtësit të djathtë, Geralb Smajli, i cili e ka mbyllur sezonin pas operacionit në meniskun e gjurit.

Këto dëmtime padyshim që mund të kenë shkaktuar edhe probleme në planet e trajnerit Goçe Sedloski për ndeshjen e së shtunës. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kapiteni Gurishta, Bulatoviç dhe Balaj do të mund të rikthehen të jenë të gatshëm ndaj Kastriotit, pasi deri më tani janë në pikëpyetje.
Maringlen ZHIVANI