Vllaznia U-16 ka barazuar me rezultatin 2-2 ndaj Tiranës, në sfidën e rradhës të kampionatit të femrave në Shkodër. Në ndeshjen e zhvilluar në fushën “Reshit Rusi”, vajzat kuqeblu të drejtuara nga Luçije Gjini bënë një paraqitje të mirë, duke barazuar rezultatin nga 0-2 në 2-2, por pa mundur dot të merrnin tre pikët.
Ndërkohë, formacioni i Vllaznia U-16 në këtë takim ishte ky: Synaj, Lorja, Shkambi, Alijaj, Ara, Hasaj, Cungu, Hoxha, Shporaj, Guri dhe Mataj. Sa i takon kronologjisë së ndeshjes, ekipi shkodran e pa veten në disavantazh në fundin e pjesës së parë, pasi Tirana shënoi golin e parë në minutën e 40-të.
Sikur të mos mjaftonte ky gol, në pjesën e dytë më konkretisht në minutën e 53-të, Vllaznia e sheh veten në disavantazh të një tjetër goli, pasi Tirana shënon edhe golin e dytë. Me kalimin e minutave, vajzat kuqeblu e morën veten, duke krijuar volum loje dhe raste për shënim. Si rrjedhojë, ngushtuan rezultatin me golin e Klaudia Borcit në minutën e 65-të, kur ajo finalizoi me sukses.
Trajnerja e Vllaznia U-16, Luçije Gjini, bën edhe një zëvendësim, duke hedhur në fushë edhe futbollisten e talentuar, Arlinda Kodra, ç’ka më pas rezulton efikas, pasi do të ishte pikërisht ajo që do të barazonte rezultatin në 2-2.
Pas një këmbëngulje të gjatë, 16-vjeçaret gjetën edhe golin e barazimit dhe në minutat e fundit, rezultati nuk ndryshon dhe sfida e rradhës në kampionatin e femrave për Vllaznia U-16 mbyllet me rezultatin 2-2. Pas këtij barazimi, ekipi i vajzave kuqeblu vijon të kryesojë renditjen, duke qenë në kuotën e 20-pikëve në tabelën e klasifikimit. /Maringlen ZHIVANI/
Kampionati i femrave U16: Vllaznia-Tirana 2-2
Golat: Borci 65’, Kodra 70’
Formacioni i Vllaznia U-16: Synaj (Gjergji 57’), Lorja, Shkambi, Alijaj (Borci 65’), Ara, Hasaj, Cungu (Kodra 62’), Hoxha, Shporaj, Guri, Mataj (në dispozicion: Neçaj, Plepi) Tr: Luçije Gjini