Esin Hakaj ka qenë au tori i golit të vetëm që kuqeblutë kanë shënuar ndaj Skënderbeut. Një gol që u dha shkodranëve tri pikë me mjaft vlerë në rrugëtimin drejt objektivit minimal të tyre në këtë sezon, zonës europiane.

Për mbrojtësin e palodhur ndryshimi i skemës së lojës dha edhe efektin e duhur. Përveç fitores me Skënderbeun ai ka folur edhe për takimin e mesjavës ndaj Dinamos, por edhe për javët e mbetura deri në fund të sezonit.

Ndërsa ashtu si shkodranët e tjerë kuqeblu, Gurishta e Krymi, momentalisht ai shpreh besnikërinë e tij ndaj Vllaznisë edhe për të ardhmen.

Një gol me shumë vlerë, ky përballë Skënderbeut?

Normalisht që çdo gol ka vlerën e tij dhe për më tepër që ekipi arriti që me këtë gol të fitojë. Personalisht jam shumë i kënaqur që arrita ta ndihmoj ekipin në këto momente.

U pa që goli kishte edhe dedikim?

Goli shkon përherë për familjen time. Në stadium gjithmonë kur shënoj, shkoj në drejtim të babait tim që është përherë i pranishëm, duke ndjekur ndeshjet e mia.

Një fitore që ka mbërritur pas shumë barazimeve dhe dy humbjeve?

Normalisht që të vjen keq që ecuria jonë nuk ishte ajo që patëm deri para pak kohësh. Kemi pasur disa probleme dhe na ka munguar fitorja. Mungesa e saj na ka bërë gjithashtu që të na bjerë disi edhe morali. Kjo na ka sjellë jo pak probleme. Megjithatë, shpresoj që nga kjo fitore të kthehemi si më parë dhe të arrijmë tani objektivin minimal tonin, kalimin në Kupat e Europës përmes kampionatit.

Në pjesën e dytë duket se loja pësoi një ndryshim, që solli edhe golin dhe fitoren?

Në pjesën e dytë, tekniku Plori ndryshoi skemën e lojës dhe bëri një rreshtim me tre në mbrojtje dhe pesë në mesin e fushës. Si unë dhe Gurishta mundohemi të shtyjmë përpara në çdo moment dhe me një mbrojtje me tre është më ndryshe, sepse jemi më të sigurt. Mendoj se ndihemi mirë kështu.

Të enjten përballë do të keni Dinamon. Një kundërshtar në dukje i lehtë?

Nuk do të ketë kundërshtarë të lehtë. Ne duhet që të vlerësojmë maksimalisht këtë kundërshtar. Ndaj Dinamos në asnjë takim se kemi pasur të lehtë. Duhet që të bëjmë lojën tonë dhe të japim më të mirën nga vetja. Tri pikët ndaj Dinamos janë shumë të rëndësishme për objektivin që thashë më lart.

Edhe 5 javë nga fundi?

Kanë mbetur dhe 5 javë dhe për ne do të jenë 5 finale. Ne po luftojmë për Europën dhe për këtë duhet t’i kalojmë me sukses këto përballje. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën në këto përballje.

Ku e shikoni veten pas këtij sezoni?

Për momentin te Vllaznia dhe më pas nuk e di. Në Shqipëri mund të jem vetëm te Vllaznia. Drejt kryeqytetit nuk e di, duke parë e duke bërë.