Liverpuli fitoi ndaj Çelsit finalen e Kupës FA falë penalltive, duke u treguar përsëri më i saktë në gjuajtjet nga pika bardhë. Kjo nuk është rastësi dhe as çështje fati, por përgatitje e mirëfilltë me një kompani e cila punon pikërisht për gjuajtjet e tilla.
Gjithçka e ka zbuluar pas sfidës vetë Jurgen Klop, i cili ka treguar se prej dy vitesh skuadra e tij ka filluar të përmirësojë gjuajtjet e penalltive falë një bashkëpunimi të veçantë.
“Ne punojmë me një kompani, janë katër persona dhe kompania quhet Neuro11. Unë isha në kontakt me ta për herë të parë 2 vite më parë, kur unë mësova se çfarë bënin. Një nga ata është neuroshkencëtar dhe ai më tha: ‘Ne mund të stërvitim për penalltitë’. ‘Me të vërtetë?”, u thashë, ‘më duket interesante, ejani”. Ne u njohëm dhe kemi punuar bashkë dhe padyshim ky trofe është edhe për ata, ashtu siç ishte Kupa e Ligës”, tregoi Klop.
Në gjuajtjet e Liverpulit ndaj Çelsit, Sadio Mane gaboi të tijën përballë Mendi, shok skuadre në radhët e përfaqësues së Senegalit. Por Klop mori përsipër përgjegjësinë e atij gabimi. “Jam përgjegjës për të paktën 50% të penalltisë së Sadio, pasi duhet t’i lejosh djemtë të bëjnë atë që mendojnë. Por unë i thashë ‘Portieri të njeh mirë, ndaj mundohu të bësh gjërat ndryshe’. Siç ndodh shpesh në jetën time, e kuptova që është më mirë ta qepësh! Por ia dolëm gjithsesi dhe e them me sinqeritet që ka shumë rëndësi për ne”, tha Klop.