E ardhmja e Rei Manajt është gjithmonë e më larg Barcelonës, por kjo nuk mund të thuhet me siguri. Gjashtë skuadra kanë treguar interes për sulmuesin shqiptar në orët e fundit dhe kanë prezantuar ofertat zyrtare për lojtarin.

Bomberi shqiptar ishte shumë i rëndësishëm për skuadrën gjatë fazës përgatitore duke shënuar 4 gola, por Ronald Kuman nuk ia dha shansin që të luante në La Liga. Manaj nuk u përfshi asnjë minutë në 3 ndeshjet e luajtura deri tani. Për momentin, katalanasit janë duke i analizuar të gjitha ofertat, por duhet të marrin një vendim shumë shpejt brenda ditës së sotme, pasi do të mbyllet merkatoja.

7 MILIONË EURO – Barcelona kërkon 6-7 milionë euro për një lojtar, i cili e ka klauzolën e shitjes 50 milionë euro. Por katalanasit kanë disa opsione në mendjen e tyre. Nuk duan që vendimin ta lënë të gjithë në dorën e futbollistit. Barça kërkon që të përfshijë një klauzolë për blerjen e kartonit të tij në një fazë të dytë, ndërsa një nga alternativat është shitja e 50% të kartonit të tij.

GJASHTË OFERTA – Deri ditën e djeshme, në tavolinën e Barcelonës ishin 6 oferta: Kaljari, Rajo Vajekano, Almeria, Frajburg, Fenerbahçe, janë klubet e interesuara për Manajn, i cili gjithashtu ka prioritetet dhe kërkesat e tij.

Dëshiron që të luajë në elitën e futbollit europian, pra në La Liga, Serinë A ose Bundesligë. Për këtë arsye i sheh me sy tjetër ofertat nga Rajo Vajekano, Kaljari dhe Frajburgu. Almeria është skuadra që ofron më shumë para për lojtarin, por luan në ligën e dytë.

14 GOLA – Rei Manaj shënoi 14 gola këtë sezon me Barcelonën B dhe në verë u bë pjesë e skuadrës së parë. Ai ishte titullar dhe vendimtar në dy ndeshjet e para të sezonit duke shënuar tre gola ndaj Nastik dhe një tjetër ndaj Gironës.

Kjo situatë bëri që Manaj të vazhdonte në ekipin e parë dhe të stërvitej mjaft mirë. Burime pranë klubit kanë treguar se Manaj i ka befasuar të gjithë lojtarët, sidomos në zonën sulmuese, ku ka shumë forcë fizike dhe potencë.

Problemi është që nuk ka luajtur ende asnjë minutë. Në ditët e fundit, Kuman e pranoi se do të ketë shumë largime në skuadër.

“Nuk është e mirë as për mua, as për lojtarët dhe as për klubin. Duhet të marrim vendimin sepse disa prej tyre nuk kanë shans që të luajnë”, tha ai. Nëse Manaj do të largohet ditën e sotme, atëherë Barça mund të futet sërish në merkato për një sulmues në formë huazimi.