Cristiano Ronaldo vazhdon të shkëlqejë si futbollist, pavarësisht se është larguar nga Evropa. Megjithatë, portugezi vazhdon të vendosë baste për një tjetër hobi dhe pasion të tij: biznesin.
Pavarësisht se është në Arabinë Saudite, CR7 ka vazhduar të krijojë kompani që operojnë në fusha të ndryshme si, shërbime, ndërtim, media etj.
Të mos harrojmë se ka një hotel në zemër të Madridit, në Gran Via-s, i quajtur Pestana CR7, për funksionimin sa më mirë të të cilit po kërkon staf të kualifikuar.
Hoteli i “yllit” luzitan ka publikuar katër oferta pune që janë hapur për vitin e ardhshëm. Puna në hotelin e një prej lojtarëve më të mirë në botë duhet të jetë diçka e jashtëzakonshme dhe për këtë arsye, për një nga pozicionet ofrohet një pagë prej 33,000 euro në vit.
Katër punëtorët e rinj që do t’i bashkohen stafit të hotelit nuk do të kenë për shef askënd tjetër përveç ish-futbollistit të Realit të Madridit, Manchester United dhe Juventusit.
Niveli i gjuhës angleze është një nga kërkesat thelbësore
Një nga kërkesat për t’u kualifikuar për intervistën e punës është niveli i lartë i gjuhës angleze, pasi është një hotel që tërheq shumë turistë dhe zakonisht pret të huajt për pjesën më të madhe të shërbimit. Oferta mund të gjendet në portalin turijobs.com.
Katër vendet e lira të punës, të gjitha me kohë të plotë:
Teknik mirëmbajtjeje: Kjo është një kontratë e përkohshme, zëvendësuese. Oferta kërkon përvojë më shumë se dy vjet dhe paga është rreth 25,000 euro në vit.
Pritja dhe shërbimi ndaj klientit: Ata kërkojnë të paktën dy deri në tre vjet përvojë. Paga do të ishte rreth 28,000 euro dhe dy nga kërkesat më të dukshme janë një nivel i lartë i gjuhës angleze dhe njohja e përdorimit të aplikacionit Opera.
Koordinator grupi: Kandidati duhet të ketë studime universitare në turizëm, me minimumi tri vite përvojë dhe nivel të lartë të gjuhës angleze. Paga e tij do të ishte rreth 33 mijë euro.
Kuzhinieri: Kërkohet trajnim profesional dhe të paktën dy vjet përvojë. Paga, 25 mijë euro në vit.