Sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland, është bërë lojtari më i shpejtë në histori të Ligës Premier që shënon 50 gola, duke thyer rekordin e mëparshëm të ish-legjendës angleze, Andrew Cole.

Haaland shënoi në minutën e 27-të në duelin mes Manchester Cityt dhe Liverpoolit të shtunën duke e arritur këtë rekord në vetëm 48 ndeshje të luajtura, pas një asistimi nga Nathan Ake.

Ky ishte goli i 18-të i Haalandit në 20 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.

23-vjeçari tani ka lënë prapa vetes shumë sulmues legjendar të Ligës Premier si, Alan Shearer(56), Ruud van Nistelrooy (68), Fernando Torres dhe Mohamed Salah (72), që të gjithë mbrapa Haalandit kur flasim për më të shpejtin që ka shënuar 50 gola.

Ky ishte një rekord që ishte synuar tash e sa kohë nga Haaland duke marrë parasysh sa i pamëshirshëm është para portës. 36 golat e shënuar sezonin e kaluar që ishte sezoni debutues për të në Angli, ishte rekord për një edicion të ligës.

Reprezentuesi norvegjez ka shkëlqyer për “Qytetarët” që prej se iu bashkua nga Borussia Dortmundi vitin e kaluar, duke qenë një ndër lojtarët kryesor në fitimin e tripletës vitin e kaluar.

Haaland tani do të ndjekë rekordin e Shearer për shënimin e 100 golave. Legjenda e të gjitha kohërave e Ligës Premier u desh të luajë 124 ndeshje për të shënuar kaq gola./Telegrafi/